Gjermanët i sjellin Saimir Tahirit foto dhe video nga të gjitha zonat e Shqipërisë të mbjella me hashash.
Imazhet e filmuara me satelit dhe helikopterë specialë në çdo cep të vendit, së bashku me një raport të hollësishëm profesional për ata që kultivojnë, thajnë, transportojnë dhe më pas shesin me shumicë dhe me pakicë drogën që prodhon Shqipëria, janë përgatitur nga specialistë të dorës së parë të policisë gjermane, të cilët prej dy vitesh janë në asistencë të homologes hqiptare që prej operacionit “Xibraka”.
Siç mësohet nga burime në Ministrinë e Brendshme, bëhet fjalë për një raport që e ndan vendin në 365 zona që nuk janë administrative por si pika gjeografike, të cilat kontrollohen në mënyrë moderne nga trafikantët, të cilët e kanë organizuar një sistem perfekt punimi në arat që ndodhen në zabele dhe pyje jo pranë zonave të banuara.
Shqipëria është një prej prodhuesve kryesor të kanabisit në Europë duke mundur të kalojë mbi një mijë ton marijuanë në vit.
Trafikantët kanë lidhje bashkëpunimi jo vetëm me drejtues të policisë por edhe me deputetë.
Raporti në fjalë flet me hollësi për këto lidhje.
Sipas dokumentit, oficerët e korruptuar të policisë ose paguhen 10 euro për çdo rrënjë cannabis sativa, ose marrin përqindje nga produkti i korrur në të njomë.
Trafikantët, veç bandave te armatosura, po përdorin edhe dronet për kontrollin e hapësirave me kanabis.
Tendenca e kultivimit të hashashit për vitin 2016 ka kaluar parashikimet. Këto dokumente tregojnë se hashashi ka mbuluar jo vetëm lumin e Vlorës, Tepelenën apo malësitë e Dukagjinit, por edhe zona të tëra ne juglindje, veri; në Fier, Berat e Skrapar, apo edhe në Mat, Krujë e Dibër.
Ndërkaq, mësohet se ka ndryshuar edhe rruga normale e trafikimit të drogës “bio”. Ajo është e famshmja “Balkan route”, ose rruga që emigrantët nga Lindja e Mesme kanë ndjekur për të ikur në Gjermani dhe vende të tjera të Europës.
Pra nga Shkodra në Mal të Zi, e prej andej në Kroaci e me radhë.
E njëjta rugë që në vitin 1999 u përdor kryesisht për trafikimin e vajzave nga vendet e Europës Lindore, të cilat shiteshin në Serbi e më pas rishiteshin në Shkodër për t’i kaluar në Perëndim.
Në tregun e hashashit në Europën Perëndimore, marokenet janë drejtuesit kryesorë të trafikut, pasi vendi i tyre është prodhuesi më i madh në botë i cannabis sativa-s. Marokenët, në bashkëpunim me grupet shqiptare shpërndajnë hashashin në gjithë vendet europiane.
Raporti thekson se çdo vit në Europë shpenzohen 24 miliardë euro për drogën dhe një pjesë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare. Por ende nuk dihet se sa shkon.
Kur Lazarati ishte prodhuesi kryesor i mariuanës, Guardia di Finanza e Italisë llogariti 4 miliardë euro vetëm nga hashashi i atij fshati.
Por sot, interesat janë shpërndarë në zona të tjera dhe bëhet fjalë për shumë më marramendëse./tesheshi/