Agjencitë antikrim të disa vendeve të Bashkimit Europian – kryesisht pesë vende të rëndësishme të saj – kanë ndërmarrë një superhetim për të ndjekur hap pas hapi të gjithë paratë që janë investuar në Shqipëri nga grupet më të rëndësishme të trafikut të drogës që drejtohen nga shqiptarë.
Gjermania është vendi që e ka marrë më seriozisht këtë aksion dhe do të nisë në Shqipëri dedektivë nga më të mirët e saj nga disa landet ku kanë aktivitet më të rëndësishëm bandat shqiptare.
Ky ka qenë edhe qëllimi i vërtetë i vizitës së Saimir Tahirit në Gjermani, disa ditë më parë.
Në muajin nëntor, në të gjithë Europën, Europol ka ndërmarrë një operacion të shkallës së gjerë ku janë kapur 17 grupe të rëndësishme të trafikut të narkotikëve nga Shqipëri që vepronin prej vitesh në Gjermani, Hollandë, Spanjë, Belgjikë, Luksemburg, Itali e gjetkë.
Siç mësohet, disa pjesëtarë të këtyre grupeve kanë folur dhe kanë dhënë detaje mbi investimet e tyre në Shqipëri, ku një pjesë e parave të krimit të organizuar mendohet se ka qarkulluar edhe në institucione të rëndësishme të ekonomisë shqiptare siç janë kompani të ndryshme apo edhe joint-venture.
Përveç ndërtimit ku dyshohet se janë investuar paratë e drogës, mendohet se ato janë kanalizuar edhe në ekonominë fasone, atë të call center-it, por edhe një sërë zinxhiresh të prodhimit agroushqimor siç janë rasatet e peshkut në zona të ndryshme bregdetare, ku në bashkëpunim me pjesë të rëndësishme të politikës, janë bërë dallavere me pasuritë e patundshme.
Siç bën të ditur për tesheshi.com një burim i rëndësishëm policor, hetuesit nga Gjermania do të ndjekin të gjithë rrugën e parave të drogës së shitur dhe trafikuar në Gjermani, pasi sipas edhe marrëveshjes që Shqipëria ka firmosur me BE-në ku ka marrë statusin kandidat, lejohet që vende apo agjenci të shteteve të BE-së të hetojnë për llogari të shtetit të tyre.
Në fund të javës së shkuar, ministri i Rendit, Saimir Tahiri takoi në Berlin homologun e tij gjerman, Thomas de Maiziere.
Sipas njoftimit zyrtar, u tha se ata kanë biseduar për çështjen e azilit, luftën kundër krimit të organizuar dhe antiterrorizmit.
Ky ishte takimi i dytë mes tyre pas vizitës në Tiranë të de Maiziere.
Çështje e diskutimit ishin edhe kërkesat e shqiptarëve për azil në Gjermani.
“Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil. Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë.
“Diskutuam për Reformën në Drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha më tej Tahiri.
Ndërkaq, Ministri gjerman, Thomas de Maiziere për çështjen e azilit i dha të drejtë kryeministrit Rama që deklaroi se shumica e e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani, i përkasin kontigjenteve të azilantëve në Greqi.
De Maiziere tha: “Ne e mbështetëm Shqipërinë në regjimin kufitar që ajo ka me Greqinë, dhe këtu mund të them se ka patur një punë të përbashkët të shkëlqyer. Në mënyrë të veçantë u diskutua tema e luftës kundër krimit të organizuar.Kjo është një detyrë e rëndësishme për Shqipërinë, e cila ka hapa para edhe në këtë drejtim.
Kemi pasur lidhje ndërmjet krimit të organizuar shqiptar dhe atij gjerman, ose kriminelë që veprojnë këtu në Gjermani.
Për këtë arsye kemi vendosur që bashkëpunimin ta përmirësojmë dhe me hetime të përbashkëta, në mënyrë që të luftojmë këtë të keqe të përbashkët.
Në këtë kuptim, uroj në bashkëpunimin e mëtejshëm”. /tesheshi.