Historiani turk kërkon falje për fyerjen e Skënderbeut

Në përpjekje për të shuar jehonën e deklaratave të tij kundër Skënderbeut dhe pas vendimit të Shqipërisë për t’i ndaluar atij hyrjen në Shqipëri, historiani turk, Talha Ugurluel ka mohuar të ketë lëshuar deklarata të tilla ndaj heroit tonë kombëtar.
Në një sqarim të publikuar në faqen e tij në “Facebook” thotë se Skënderbeu është përdorur nga europianet kundër miqësisë së shqiptarëve me osmanlinjtë, transmeton top-channel.
“Skënderbeu ishte një shqiptare si shumë të tjerë, të cilët në kohën e Muratit II i ishin bashkuar Perandorisë. Skënderbeu i doli kundra Perandorisë dhe ka luftuar 25 vjet kundër osmanlinjve. Europianët mbështetën fuqishëm Skënderbeun për t’i dalë kundër miqësisë turko-shqiptare”, shkruan turku.
Më tej historiani turk shpjegon se në fjalimin e tij në varrin e Skënderbeut në Lezhë dhe në Shkodër, ka shpjeguar historinë e vërtetë dhe miqësinë mes dy popujve që në kohën e Perandorisë.
“Skënderbeu mund të ketë qenë kundër osmanlinjve, por kjo gjë nuk dëmton miqësinë turko-shqiptare. Sepse për qindra vjet, heronjtë shqiptarë, si Sami Frashëri, Mehmet Akifi apo shumë të tjerë kanë qenë dhe liderë të turqve. Ne, nuk shqetësohemi nga liderët tanë, poetet tanë, artistet tanë shqiptarë, por krenohemi me ta”.
Megjithëse ka mohuar të ketë deklaruar se Skënderbeu ishte vrasës fëmijësh dhe i grave si terroristët, dhe u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë keqkuptim siç e quan, ai ka pastruar nga faqja e tij postimet që i kanë bërë shqiptarët të videos me deklarimet e tij reale, ku gjenden fyerjet për Skënderbeun.

Artikulli paraprakObama uron kosovarët dhe Thaçin për Fitër Bajram
Artikulli vijuesPresident nga Populli apo nga Parlamenti?