Hoxha nga Drenica, Osman Musliu në një intervistë për Infopress flet për kishën që është ndrtuar në Llapushnik, tolerancën ndërfetare, si dhe për shumë tema të tjera interesante.
Intervistoi: Valon Rogova
InfoPress: Cili është qëndrimi juaj për kishën e ndërtuar në fshatin Llapushnik të Drenicës?
Hoxhë Osmani: Gjithmonë kam qenë dhe do mbetem pro plotësimit te nevojave shpirtërore të të gjithë besimtarëve të të gjitha besimëve qoftë edhe një besimtar i vetëm i ndonjë besimi. Kur më pyesni për kishën e Llapushnikut duhet ta formuloni pyetjen ndryshe:
a- A pajtohem me procedurën juridike që është ndjekur për të arritur deri tek ndarja e parcelles tokësore për atë objekt?
b- A duhet politikbërja kosovare të bën veprime kaq denigruese vetëm për servilizëm ndaj dikujt?
c- A duhet Ipeshkvia e Kosoves të bëj këtë shou dhe të ndërtojë objekte nëpër kodra për të treguar fuqi e për reklam kur dihet se besimtarët që ata pretendojnë se janë jetojnë diku tjetër?
d- A duhet që disa UDB-ash e ata te KOS-it njerëz që deri dje ishin sherbëtorë të tyre, e sot të lajnë gjynahet e tyre me ndërtim te kishave e xhamiave, ndërsa e udheqësit tanë politik e fetarë ti pasojnë këto intriga te tyre?
Ju them që në fillim JO shumë të madhe.
Kisha është objekt fetar nga e cila shpërndahet drejtësi, mirësi, barazi, që e ka burimin në fjalët e Zotit të përmbledhura ne librin e shenjtë Ungjillin. Prandaj, ky objekt i drejtësisë nuk duhet ti ketë themelet në padrejtësi. Të gjithë ata që janë të perfshirë në ndërtimin e këtij objekti duke filluar nga iniciatoret dhe ata qe dhanë “lejen”, kryetari i komunes Nexhat Demaku me dallaverxhitë e vet, e deri tek ata që e bekuan janë të zhytur në padrejtesi. Mua me vjen keq që një objekt fetar, një kishë Katolike të ndertohet ne menyrë klandestine, pa pas nevojë për keqkuptime. Më vjen keq që disa qëllimkëqinj me këtë iniciativë dëshiruan që shumicën myslimane në këtë fshat ta paraqesin si taliban, radikal dhe ekstremista etj., dhe nuk duan kishë në mesim e tyre dhe një grup i vogël “katolikësh” janë viktima që luftojnë për mbijetesë, dhe që shteti duhet të angazhohet për mbrojtjen e tyre. Kjo është turp historik për ata që i dhanë një kahje të tillë ndërtimit të këtij objekti, nëse e dinë se çka është turpi. Ata që janë kundër kishave edhe kundër xhamive zhvillojnë luftë të tmerrshme kundër njeri-tjetrit. Nëse e përcjellim internetin dhe rrjetet sociale do të lexoni sharje e fyerje ndaj kishave dhe xhamive saqë do të bindeni se asnjëra palë nuk janë besimtarë, por kanë të njëjtin qëllim: besimtarët t’i fusin në luftë fetare, nga ku nuk dilet lehtë pa u mbuluar me gjak deri në fyt vendi dhe bota në tërësi. Ideologët e vërtet që deshifrojnë luftën fetare dinë të kamuflohen dhe e hedhin gurin e fshehin dorën, por për fat të mirë populli shqiptar gjithmonë i ka demaskua në kohë lojtaret e këtyre lojërave të pista që në emër të fesë iniciojnë luftë fetare.
InfoPress: Me ndërtimin e kësaj kishe a mund të thuhet se ka tolerancë fetare në Kosovë?
Hoxhë Osmani: Toleranca fetare te ne është një pasuri që duhet ruajtur. Të kesh tolerancë fetare do të thotë të dush diçka prej zorit, ndërkaq populli shqiptar fenë-besimin e ka për qejfin e vet dhe e respekton edhe atë që beson vet edhe atë që beson tjetri i gëzohet edhe besimit të vet edhe besimit tjetrit. Jo që e toleron, por i gëzohet, sepse shpreson në mirësinë që i vjen edhe prej kishës edhe prej xhamisë. Por, të parët tanë kanë besuar në gjithçka edhe në asgjë. Po është fakt se disa nga të paret tanë kanë besuar në krishterim. Është fakti tjetër se të paret tanë përqafuan islamin që e kemi sot shumica shqiptare. Nëse prapa pyetjes suaj fshihet parulla e mendjelehtëve se të paret tanë ishin të krishterë dhe duhet te konvertohemi prapë në të krishterë po ju them se do mbetemi pa FE gjithë shqiptarët dhe do bëhemi gazi i botes shumë larg do te na çon ajo mendjelehtësi i nderimit te besimeve. Rrota e historisë shkon para e jo mbrapa për hir të të paërëve tanë nuk mund te kthehemi te jetojmë në shpella. Çështja e besimit në kohën moderne është çështje akademike në kërkim të vërtetës jo imitim i të tjerëve. Por në anën tjetër ky fakt shpesh di edhe të keqpërdoret nga disa politikanë e udheheqës fetar. Ndërtimi i këtij objekti me një anë tregon poshtërsinë dhe ligësinë e disa politikanëve që mundohen të paraqiten ‘ma katolik se Papa’ dhe t’i mbulojnë poshtërësite e tyre me këto veprime. E në anën tjetër tregon vetëdijen dhe tolerancën fetare që ekziston te populli ynë ku janë në gjendje të bëjnë kabull një objekt ku te gjithë e dijnë se është objekt shou e reklamë dhe jo fetar. Ndoshta kjo ka të bëjë pak edhe me heshtjen dhe tolerancën tonë të tepruar që jemi mësuar ta kemi në Kosovë, para udhëheqësve tanë te mbushur korrupcion deri në fyt. Por, prapë unë besoj se populli ynë është tolerant ndaj besimeve të tjera dhe nuk duhet të provokohet, kjo tolerancë me kësi lojëra kam frikë se do nxisin probleme të mëvonshme. Për arsye një gjë që niset me hile, për shou e reklamim aty nuk ka sinqeritet dhe aty siç thotë populli ‘nuk ia sheh hajrin’. Prandaj e kam një thirrje te udhëheqësit tanë që mos të luajnë me tolerancën e popullit tonë, sepse do të marrin pergjegjësi të mëdha për pasojat që mund të vijne në plane afatgjate.
InfoPress: Cili është opinioni juaj për sloganin: feja e krishter është feja e të parëve tanë?
Hoxhë Osmani: Feja është zgjidhje racionale dhe zemre dhe asesi zgjidhje politike apo oportuniste. Nëse feja zgjidhet për përfitime politike, ekonomike apo diçka të ngjashme, atëherë ti nuk je më besimtar, por je duke e shfrytëzuar fenë për qëllime personale. Edhe ata të cilet bëjnë kësi lloj thirrje se kinse duhet të kthehemi në fenë krishtere, sepse Evropa na do kështu e kemi perfitime të tjera s’janë të sinqertë në këtë thirrje. Për arsye sepse kjo thirrje e tyre nuk është thirrje për besim apo fe, mirëpo për përfitime ditore dhe keqpërdorim të fesë. Ndërsa, sa i përket fesë së të parëve une ju them se të paret tanë kanë qenë paganë. Nëse logjika funksionon kush më herët, atëherë le të kthehemi në pagan. Mirëpo, po ju them edhe njëherë se feja nuk zgjidhet me ‘hajde te bëhemi’ por me bindje dhe besim në diçka që ta pranon mendja dhe e do zemra. Por, kur këtë thirrje e bëjnë dis “ish” komunistë që fenë e kanë mjet për përfitime, atëherë është lehtë ta kuptosh prapavinë.
InfoPress: A mendoni se kjo mund të jetë provokim ndërtimi i kishës katolike në një vend me shumicë myslimane?
Hoxhë Osmani: Ndërtimi i kishave dhe objekteve fetare në vendet me shumicë myslimane kurrë në historinë islame s’kanë qenë problem. Mjafton ti shëtisësh qytetet myslimane si Stambolli, Damasku, Bagdadi, Kajro, Bejruti, Islamabadi etj. Nepër të gjitha këto qytete do të rastisni pamje interesante ku xhamiat, kishat e sinagogat jetojnë afër njëra tjetrës me shekuj. Kjo tregon se myslimanët se kanë problem bashkëjetesën me besimtarë të besimeve të tjera. Madje qyteti i parë islam, Medinja është një qytet ku myslimanët, jahuditë dhe arabët politeist jetonin së bashku ne bazë të një marrëveshje qe e kishte inicuar Muhammedi a.s. Ne si myslimanë bashkëjetesën dhe tolerancën e kemi të porositur nga vet Krijuesi jonë përmes Kuranit dhe Profeti Muhammed që e tregoi me vet jetesën e tij se si duhet respektuar besimi i tjetrit. Ne nuk kemi problem me besimtarë katolik, e as me ndërtimin e kishave për nevojat e këtyre besimtarëve. Problemi ynë është me provokimet, shouet dhe lojërat që po bëhen në emër të kishave dhe xhamive. Për këtë unë them se jam pro çdo kishe dhe xhamie për besimtarët dhe kundër çdo kishe dhe xhamie që ndertohet per shou dhe reklamim, aq më shumë në forma jo ligjore sikur ky objekt në Llapushnik.