Ivanoviq e kishte përmendur Radoiçiqin si sundimtar të veriut

Politikani serb, i vrarë në janar të këtij viti, në një intervistë për BIRN, përcjell Telegrafi, e kishte përmendur Milan Radoiçiqin si figurë kyçe dhe sundues i pushtetit në veriun e Kosovës, të drejtuar nga serbët.

Ivanoviq në intervistë kishte thënë se pushteti në veriun e Kosovës nuk është në duart e institucioneve të zgjedhura, por mbahet nga ‘qendrat informale të pushtetit’ dhe e përmendi Radoiçiqin si bartës i këtij sistemi informal të pushtetit.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e komunës, sepse ajo i takon qendrës informale të pushtetit”, kishte thënë Ivanoviq.

Më pas ai kishte shtuar se “Presidenti [serb] Aleksandër Vuçiq e përmend Milan Radoiçiqin – kjo më shqetëson shumë – kur ai e merr atë si shembull të një personi që lufton për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”.

Ivanoviq iu ishte referuar fjalëve të Vuçiqit kur në një konferencë shtypi të mbajtur në shtator ai e quajti Radoçiqin si një nga pesë burrat dhe e falënderoi për “mbrojtjen e Serbisë në Kosovë”.

Radoçiq, i cili në muajt e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes, ka lidhje të ngushta me elitat politike në Kosovë dhe Serbi, duke përfshirë Vuçiqin dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai disa herë në Serbi është përballur me akuza ligjore dhe është një bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit kontravers serb, Zvonko Veselinoviqit.

Ivanoviq u qëllua për vdekje në Mitrovicë më 16 janar jashtë zyrave të partisë së tij ‘SDP’, e cila ishte kundërshtare me Listën Serbe që mbështetet nga Serbia.

Ai disa herë para se të vritej kishte thënë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishin kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por nuk kishte marr asnjë përgjigje. /Telegrafi/

Artikulli paraprakIzraeli me plan për taksimin e Kishave në Jerusalem
Artikulli vijuesNesër dita më e ftohët e vitit