KE publikon raportin vlerësues për zbatimin e marreveshjes BE-Turqi

0
180

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe shtatë kritere që duhen përmbushur në mënyrë që të arrihet liberalizimi i vizave për qytetarët e Turqisë, raporton AA.

KE ka publikuar raportin e tij të tretë vlerësues në lidhje me zbatimin e marrëvheshjes së arritur më 18 mars midis Turqisë dhe BE-së.

Në raport thuhet se Turqisë i kanë ngelur edhe shtatë kritere nga gjithsej 72 për realizimin e liberalizimit të vizave. Kriteret e paplotësuara, janë radhitur në këtë mënyrë: “Lëshimi i pasaportave biometrike në përputhje të plotë me standardet e BE-së, marrja e masave për luftën kundër korrupsionit, arritja e marrëveshjes për bashkëpunim operativ me Europolin, rregullimi i ligjeve dhe dispozitave kundër terrorit në përputhje me standardet evropiane, pranimi dhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale sipas standardeve të BE-së, bashkëpunimi i plotë efektiv me të gjitha shtetet e BE-së në fushat që kanë të bëjnë me krimin dhe zbatimi i të gjitha pikave të Marrëveshjes për Riatdhesim midis Turqisë dhe BE-së.”

Në raport thuhet se Turqia dhe BE-ja janë në kontakt të vazhdueshëm për gjetjen e zgjidhjes për përmbushjen e këtyre kritereve.

Sipas raportit, edhe krahas vështirësive në zbatimin e marrëveshjes Turqi-BE, janë arritur rezultate në mënyrë stabile. Në raport theksohet se që nga arritja e marrëveshjes, është zvogëluar numri i vdekjeve në Detin Egje gjatë kalimeve nga Turqia për në Greqi.

Po ashtu, raporti bën të ditur se këtë vit në periudhën qershor-shtator, kalim ditor nga Turqia për në Greqi kanë bërë mesatarisht 81 refugjatë, ndërkohë që kjo shifër vitin e kaluar ishte mesatarisht rreth 2.900.