Kërkojnë dorëheqjen e Aganit dhe Gashit

Pas anulimit të konkursit për drejtorë të klinikave të QKUK-së, sindikalistët e punëtorëve të kësaj qendre, kanë reaguar duke kërkuar dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Njazi Gashit, por edhe të Ministrit të Shëndetësisë Ferid Aganit.

Ata kanë thënë se për dështimin e zgjedhjes së drejtorëve përgjegjësia primare bie mbi menaxhmentin e Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të QKUK-së, pasi që kanë qenë të involvuar në përzgjedhjen e drejtorëve, duke luajtur, siç thanë ata, me dinjitetin e njerëzve që janë zgjedhur dhe rizgjedhur, disa herë.

Në rekomandimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, drejtuar QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se, “Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka bërë monitorim gjatë procesit të shpalljes së konkursit për drejtorë të klinikave në QKUK dhe ka monitoruar edhe procedurat e mëtutjeshme dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje të rregullave dhe parimeve të shërbimit civil. Andaj ne kemi kërkuar nga QKUK që të rishpall edhe njëherë konkursin për drejtorë të klinikave”.

Me këtë konstatimin e KPM-së nuk ishte pajtuar drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, i cili, para disa ditësh, i kishte thënë Kosovapressit se, në bazë të statutit dhe të konkursit punëtorët shëndetësorë janë shërbyes publikë e jo shërbyes civilë, por kishte thënë se nuk e din se cila është leverdia dhe arsyeja e këmbënguljes së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës që të njëjtit t’i definojë si shërbyes civilë.

Mirëpo, vetëm disa ditë më pas, drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi u dorëzua dhe vendosi ta anulojë këtë konkurs.

Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, ka thënë se bazuar në shkresën e UD. të Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, nr.05-5306-2 dhe Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nr.4658 të datës, 17.09.2012, Drejtori Ekzekutiv i QKUK-së, Dr. Nijazi Gashi, ka marrë vendim për anulimin e konkursit për Drejtorë të Klinikave, Instituteve dhe Shërbimeve të QKUK-së.

Dr. Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së, ka thënë se përgjegjësia primare duhet t’i takojë Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe menaxhmentit të QKUK-së duke kërkuar kështu dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Njazi Gashit dhe Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit.

“Në qoftë se dorëheqja është akt moral kjo do të ishte e pakta që duhet ta bënë. Edhe ministri duhet të jap dorëheqje bashkë me zotërinë që e ka menaxhuar QKUK-në sepse edhe ai është pjesë e fajit edhe ai është pjesë e të gjitha përçarjeve dhe krijimin e këtij menaxhmenti”, ka thënë ai.

Kryesindikalisti Selmani, po ashtu, ka thënë se kjo lojë duhet të përfundojë dhe përgjegjësia duhet të bie së pari mbi drejtorin e QKUK-së dhe mbi ministrin e Shëndetësisë.

Që nga sot, të gjithë drejtorët e Klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë shpallur ushtrues detyre, vetëm pak javë pasi ata patën marr kompetencat e drejtorëve. Të rikujtojmë se kjo është hera e katërt këtë vit që shpallet dhe anulohet konkursi për drejtorë të klinikave të QKUK-së./kohaislame

Artikulli paraprakReinfeldt: Nuk ka ndarje të Kosovës
Artikulli vijuesKa përfunduar konferenca e bashkësive islame shqiptare