Kompania Nintendo me platformë të re për të shikuar edhe video

Konsola dhe pajisja e dorës GamePad e stilit shumë të pëlqyer Wii U të Nintendo-s formojnë një lidhje të fortë, falë edhe veçorive të zgjuara që Nintendo dhe Broadcom kanë ndërtuar për ta bërë edhe më të fuqishme performancën e Wi-Fi.

Wii U ka lënë pas sistemet e mëparshme Nintendo me GamePad e vet, e cila mund të kontrollojë lojërat Wii që shfaqen në një TV ose të funksionojë e pavarur si pajisje me ekranin e saj. Me avancimin e madh në aftësitë kontrolluese, Nintendo gjithashtu ka punuar shumë edhe për sistemin wireless, duke përdorur Wi-Fi mes kontrolluesit dhe konsolës për herë të parë, në vend të Bluetooth, i cili megjithatë mbetet, kështu që kontrolluesit e mëhershëm Wii mund të punojnë edhe me platformën e re. Në këtë pajisje mund të gjeni edhe NFC (near-field computing), e cila parashikon në të ardhmen veçori si ajo e futjes së letrave apo figurave me karaktere në lojë.

Platforma e re e Nintendo-s ka dalë në shitje të dielën në SHBA dhe u shit menjëherë, ndonëse pati pak probleme me softuerin e përditësimit dhe platforma e rrjeteve sociale Miiverse iu vështirësoi punën disa blerësve. Konsola e re Wii U e Nintendo-s që prej vitit 2006 ka shumë rëndësi për këtë kompani.

Të hënën, Nintendo dhe Broadcom kanë zbuluar edhe disa detaje të teknologjisë wireless që vë në punë Wii U. Në zemër të sistemit është IEEE 802.11n Wi-Fi, të cilën kompanitë e kanë përforcuar me një sërë veçorish për të siguruar shikim pa probleme të videove me definicion të lartë. Videot mund të shihen direkt përmes GamePad dhe konsolës Wii, pa qenë nevoja për një pikë aksesi, duke përdorur Wi-Fi Direct. Por Nintendo dhe Broadcom kanë futur edhe tipare të tjera krahas Wi-Fi Direct.

Për t’ia filluar, po themi se kjo konsolë ka dy çipa Wi-Fi: një për komunikim me ruterin lokal Wi-Fi dhe tjetrin ekskluzivisht për të komunikuar me GamePad. Lidhja konsolë-GamePad vepron ekskluzivisht mbi bandën 5GHz, pasi frekuencat e Wi-Fi kanë numrin më të madh të kanaleve dhe ndërhyrjen më të vogël. Për të komunikuar me ruterin e shtëpisë, konsola mund të përdorë ose 5GHz ose bandën tjetër, 2.4GHz. Nëse del nevoja për të shmangur ndërhyrjen, lidhja konsolë-ruter mund të përdorë bandën 2.4GHz, sipas Dino Bekis, drejtor i lartë i njësisë Wireless Connectivity Combo të Broadcom.

Partnerët në fjalë kanë zhvilluar edhe disa veçori të tjera për shikim më të rrjedhshëm të videove. Algoritmet tipike që shërbejnë për të çuar në maksimum shpejtësinë e Wi-Fi janë ideuar që të kërkojnë shpejtësinë maksimale në çdo moment, por Broadcom dhe Nintendo kanë zhvilluar algoritme të cilat janë dizajnuar që të japin bandë konstante, e cila kërkohet nga videot. Të dyja pajisjet mund të përcaktojnë se kur duhet ta ritransmetojnë videon bazuar në performancën e shikimit të saj. Konsola Wii U ka edhe çipin Broadcom Bluetooth 4.0, i cili i lejon lojtarët që të përdorim kontrolluesit e vjetër Wii dhe pajisje të tjera shtesë, si kufjet.

NFC, sistemi më i ri wireless i Wii U, është ende i panjohur, por ka disa përdorime origjinale. Ai është dizajnuar për komunikim mes dy pajisjeve të lidhura së bashku dhe është përdorur më shumë për pagesat nëpërmjet celularëve. Nintendo nuk ka dhënë ndonjë udhëzim se si të përdoret NFC, por kompania ka aluduar se përdoruesit do të jenë në gjendje të lidhin GamePad me letra ose figura. Ajo që e bën shumë të përshtatshme këtë sistem është kërkesa e ulët për energji, sipas Bekis. Një element në link, si një letër ose figurë, mund të përdorë NFC me fare pak energji. NFC mund të përdoret edhe për blerjet në Wii, si për shembull në shërbimin e planifikuar nga Nintendo për videot me kërkesë. Për shkak të çipit NFC në GamePad, përdoruesit mund të vendosin një kartë krediti me çip NFC pranë kësaj pajisjeje në vend që të fusin të dhënat e pagesës. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakKonsumatorët kosovarë kërkojnë cilësi më të mirë në prodhimet ushqimore vendase
Artikulli vijuesCili ushqim ndikon në parandalimin e rënies së flokut?