KQZ merr vetura me qira, shpenzime milionëshe

Edhe pse rreth 10 mijë vetura zyrtare kanë institucionet e vendit, rreth 22 institucione të Kosovës, qendrore dhe lokale janë përfshirë në procesin e marrjes me qira të automjeteve, ndër to së fundmi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me dhjetë vetura të tipit “Reno-megana”.

Zyrtarë të KQZ-së përveç se kanë pranuar se janë qira-marrës të automjeteve, nuk kanë treguar për shumën, shfrytëzimin, operatorin dhe shumën e mjeteve.

 

“Ne jemi të përfshirë në procesin e marrjes me qira përmes Autoritetit Qendror të Prokurimit. Çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen, kohën e zbatimit, operatorin, shumën e mjeteve, etj., janë në kompetencë të AQP-së”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Komsionit Qendror të Zgjedhjeve Enis Halimi me një shkresë elektronike.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, kanë thënë se edhe KQZ kohën e fundit ka marrë vetura me qira për kryerjen e punëve me këtë veprim.

“Jo vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por edhe institucionet tjera, kohëve të fundit po marrin vetura me qira për kryerjen e punëve për shkak se me këtë veprim po e kursejnë buxhetin e shtetit. Për veturat e tilla institucionet nuk kanë kurrfarë obligimi për amortizim dhe mirëmbajtje të tyre”, ka thënë Zeqir Bekolli, udhëheqës i Departamentit për Komunikim Publik në MAP.

Përfituesi i këtij tenderi rreth 7 milionë euro ka treguar se kontrata e cila është nënshkruar me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Autoritetin Qendror të Kosovës është nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ka filluar të implementohet në fund të muajit janar të vitit 2018.

Drejtori i sallonit të automjeteve “Auto mita” Zgjim Mita ka thënë se kontrata përfshinë gjithsejtë 358 votuara.

“Është një kontratë, kontrata përfshinë 358 automjete, të ndara në dy pjesë 249 janë e tipit ‘megana” dhe 158 “Dacia sandero”, të shpërndara në 22 institucione të ndryshme të Kosovës në nivelin komunal dhe në nivelin qendrorë… Autoriteti Qendror i Prokurimit, i cili ka marrë përsipër me i furnizuar me automjete institucionet përkatëse’, ka thënë Mita.

Sipas tij, vlera e kësaj kontrate e cila është përfshitë në dy llote, është me kohë zgjatje prej 5 vjet e gjysmë në vlerë prej 6.7 milionë euro.

Mita: 347 euro çmimi për një muaj për “reno-meganë” dhe 247 euro për “Dacia sandero”

“Janë 347 euro çmimi për një muaj për “reno-meganë” dhe 247 euro për “Dacia sandero”, që përfshihen të gjitha shpenzimet e mirëmbajtjes, sigurimit, regjistrimit, gomave dhe gjithçka çka ka të bëjë me veturën, përveç naftës që kanë me paguar institucionet e Kosovës gjatë 66 muajve”, tha ai.

Ndër institucione të tjera të cilat janë të përfshira në procesin e marrjes me qira të automjeteve janë edhe Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe të tjera.

Artikulli paraprakGjendet vajza e zhdukur
Artikulli vijuesIsmaili: Glauk Konjufca ishte në AAK para se t’i bashkohej Vetëvendosjes