Kryeprokurori jep detajet e hetimit për pajisjen e përgjimit

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dha detaje nga hetimi që prokuroria ka nisur më 13 maj në lidhje me dyshimet e një pajisje përgjimi që thuhet se ka hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe është përdorur nga Policia e Shtetit.
I ftuar në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, kryeprokurori tha se hetimi ka nisur nga informacionet që ka marrë fillimisht prej kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, mbi një pajisje të dyshimtë që ndodhej në qendrën e trajnimit të policëve në Vlorë.

Por po ashtu, edhe të dhënat e paraqitura në media janë bërë shkak për nisjen e hetimit 5 ditë më parë, raporton Express.

“Të nderuar anëtarë të komisionit, në përgjigje të ftesës suaj jam përpara këtij komisioni për t’ju informuar se Prokuroria në bazë të informacionit, hetim që ka nisur me indicie se në territorin e Shqipërisë janë futur pajisje gjurmuese apo përgjuese, nën hijen e dyshimit i them të gjitha këto, sepse jemi në fazën e hetimit. Rasti për të cilin diskutohet, hetimi ka nisur pas informacioneve të SHISH-it, si edhe në bazë të dhënave mediatike dhe të dhënave të tjera. Hetimi me rastin ka vetëm 5 ditë që ka filluar. Ne kemi kryer kërkime të rëndësishme hetimore. Prokuroria është angazhuar dhe ka ngritur një grup të posaçëm pune për të përfunduar në një kohë të shkurtër hetimet”, tha Llalla.

I pyetur nga deputeti i mazhorancës Pirol Lutaj nëse prokuroria kishte hasur pengesa nga ndonjë institucion në shërbim të hetimit, Llalla tha se kjo gjë nuk ka ndodhur, por shtoi se. “nëse prokuroria do hasë pengesa i ka të gjitha mundësitë të fillojë hetimin ndaj çdo zyrtari”.

“Hetimi do të zbardhë nëse kjo pajisja është futur në mënyrë ligjore apo jo, prokuroria është e angazhuar për t’i dhënë përgjigje sa më shpejt”, shtoi Prokurori i Përgjithshëm.

Kryeprokurori theksoi se është ngritur një grup i posaçëm për këtë çështje.

Ndryshe nga seancat e mëparshme dëgjimore me kreun e SHISH Visho Ajazi Lika, drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako dhe ministrin e Brendshëm Tahiri, raportimi i prokurorit ishte mjaft i shkurtër në kohë, kjo edhe për shkak të tentativave të disa deputetëve të opozitës, por edhe Flamur Nokës që drejtoi seancat, për të bërë pyetje politike ndaj tij.

Artikulli paraprakUEFA merr vendimin: Vetëm dy skuadra kosovare në Evropë
Artikulli vijuesAvdullah Hoti mban inat me Shpend Ahmetin, për autobusët ia lë meritat LDK’së