Kuvendi s’e miraton kërkesën e Bashkësisë Islame për shpenzimet e varrimit

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren përmes një shkrese të kryetarit të saj ka kërkuar nga organet komunale që të hiqen shpenzimet e varrimit për të gjitha rastet, pa dallime.

Derisa përfaqësues të Degës së LDK-së në Prizren i kanë dhënë mbështetje kësaj kërkese të KBI-së, nga ana tjetër zyrtarët komunalë kanë theksuar se një gjë e tillë mund të shqyrtohet gjatë rishikimit të buxhetit, shkruan Koha Ditore.

Këshilli i BI-së përmes një shkrese ka theksuar se përditë kujdeset për shërbimin e varrimit dhe ceremonitë e tjera fetare ndaj qytetarëve të besimit islam.
“Natyrisht, vdekja vjen befas dhe pos pikëllimit që sjell ajo shkakton edhe shpenzimet e detyrueshme materiale. Në këtë gjendje të rëndë emocionale dhe emergjente, secila familje ka nevojë për ndihmën e shoqërisë. Ka ardhur koha që KK i Prizrenit të mendojë seriozisht që të zgjasë dorën e ndihmës ndaj familjeve që sprovohen me vdekje”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga kryetari i KBI-së, Besim Berisha.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ka pohuar se ky subjekt politik e përkrah kërkesën e KBI-së, në të gjitha nivelet ku kërkohet vota e përfaqësuesve të kësaj partie.
“Mbështetjen për këtë kërkesë e arsyetojmë me faktin se Komuna e Prizrenit është komuna e dytë më e madhe në vend nga madhësia e buxheti, ndërsa nga ana tjetër është komuna me nivelin më të madh nga numri i të papunëve dhe shkalla e varfërisë. Marrë parasysh këtë, kjo kërkesë e KBI-së sa më parë të procedohet për t’i kaluar procedurat e nevojshme dhe të jetësohet si procedurë”, ka thënë Avdyli.

Por kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka theksuar se kërkesa për heqjen e shpenzimeve të varrimit mund të shqyrtohet eventualisht gjatë rishikimit të buxhetit.
“Kjo çështje kërkon një studim dhe planifikim për koston financiare. Deri tashti Komuna e Prizrenit i ka hequr pjesërisht shpenzimet e varrimit. Kryetari i komunës ka kërkuar që të bëhet një planifikim lidhur me mundësinë për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për të gjitha rastet”, ka thënë Gashi. Pas përfundimit të seancës së KK-së, në rrjetet sociale ai ka bërë të ditur qëndrimin se “me propozim të kryetarit të komunës, Kuvendit, së shpejti do të marrë vendimin për heqjen e shpenzimeve të varrimit”. Vitin e kaluar fondi i planifikuar në buxhetin vjetor të Prizrenit për shpenzimet e varrimit qe anuluar pikërisht gjatë rishikimit. Kështu kryetari Ramadan Muja pati injoruar edhe njërin prej premtimeve elektorale të tij.

Artikulli paraprakRreziqet nga indiferenca
Artikulli vijuesKush çel llogari në Facebook me emër të tjetër kujt mund të përfundojë në burg