Kryesia e Kuvendit pas mbledhjes ka vendosur që seanca për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi të mbahet të martën në orën 16:00.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur besimin se përfundimisht çështja e demarkacionit do të marrë fund të martën.
Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën është marrë vendim që seanca për ratifikimin e shënimit të kufirit me Malin e Zi të mbahet të martën e ardhshme, më 20 mars.
Veseli tha se beson fuqishëm që më 20 mars do të përfundojë ratifikimi i kufirit me Malin e Zi dhe sipas tij ka konsensus brenda Kuvendit të Kosovës për ta votuar këtë marrëveshje, të cilën e quajti ‘dramë’.
“Besoj fuqishëm se më datën 20 mars 2018, do ta përfundojmë ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Jam i bindur se bashkërisht mund t’ia arrimë këtë, është interes nacional. Ratifikimi i marrëveshjes është forcim i sovranitetit. Si koalicion qeveritar kemi një konsensus të plotë për ta votuar, në të njëjtën kohë kemi një deklarim shumë të qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta votojë. Në të njëjtën kohë jemi në kontakte intensive me të gjithë kolegët deputetë, të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe të cilët e duan Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian, e duan Kosovën me fuqizim të sovranitetit, e duan Kosovën perëndimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam shumë i sigurt se ditën e 20-të, para ditës së pranverës, do ta përfundojmë një çështje dramë, e cila pa të drejtë iu ka shtuar si rrethanë ngarkuese jetës së qytetarëve tanë dhe t’i japim perspektivë shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli.
Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se seanca për demarkacionin do të mbahet të martën në orën 16.00. Edhe ai ka shprehur besimin se është arritur një konsensus brenda Kuvendit të Kosovës dhe grupeve parlamentare për të përfunduar, siç u shpreh ai, një kauzë të rrejshme trivjeçare.
“Shpreh kënaqësinë që kësaj çështje po i vihet fundi, po i vihet kapaku, po gjen zgjidhje çështja e demarkacionit dhe rrjedhimisht lëvizja e lirë e qytetarëve. Duket se është arritur konsensusi brenda Kuvendit të Kosovës dhe grupeve parlamentare, për të përmbyllur këtë çështje të rëndësishme, përfundimisht pas tri viteve u dokumentua në të gjitha aspektet që një kauzë e rrejshme nuk mund të vazhdojë pa fund, dhe si rrjedhë janë pajtuar ata që e kanë kundërshtuar qysh në fillim këtë marrëveshje”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, anëtarët e tjerë të Kryesisë nuk kanë folur rreth seancës së paralajmëruar për të martën për demarkacionin.
Ndryshe, seanca ku do të votohet marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, ishte thirrur që nga mesi i prillit, por e njëjta ishte shtyer 3 herë. /Telegrafi/