LB denoncon KQZ-në për financim të jashtëligjshëm të Listës Serbe

0
199

Lëvizja për Bashkim përmes një komunikate për opinion, e ka quajtur shkelje të ligjit vendimin e KQZ-së, sipas të cilit Listës Serbe i ka akorduar për sivjet buxhet prej 315 mijë eurosh, ani pse ajo nuk është e regjistruar si subjekt politik dhe po ashtu nuk e njeh Republikën e Kosovës.

 

Në komunikatën e LB-së thuhet:

 

Me vendimin e datës 13.1.2015 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që nga Buxhetit i Republikës së Kosovës, përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Listës Serbe t’i ndaj buxhet për vitin 2015 në lartësi prej 315.000.00 euro.

 

Ky vendim parqet shkelje flagrante të Ligjit Nr.03/L-174, ligj për financimin e subjekteve politike, përkatësisht nenit 9 të këtij ligji; gjithashtu paraqet shkelje të Ligjit Nr.03/L-073, ligj për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht nenit 19, pika 1 dhe 2 të këtij ligji, si dhe shkelje të Rregullores Nr.01/2008 të KQZ-së, përkatësisht neni 2, pika 2.4 të kësaj rregulloreje.

 

Lista Serbe përmes kësaj forme të shkeljes së ligjit nga Buxheti i Kosovës për mandatin katërvjeçar do të përfitojë 1.260.000.00 euro.

 

Lista Serbe është certifikuar për zgjedhjet e përgjithshme 2014, por ajo nuk është regjistruar si subjekt politik, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës e as institucionet e simbolet e saj.

Kur t’i shtohen kësaj veprimet politike të Listës Serbe kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, atëherë ky shpërdorim i Buxhetit të Kosovës vjen e bëhet edhe i rrezikshëm politikisht.

 

Andaj, Lëvizja për Bashkim kërkon nga KQZ-ja që ta rishqyrtojë vendimin e datës 13.1.2015, vendim ky për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për Financimin e Subjekteve Politike dhe ta marrë vendimin meritor, në përputhje me ligjet në fuqi, – ta largojë Listën Serbe, si Nismë Qytetare, nga Regjistri i Partive Politike, ku ka hy jashtë çdo procedure ligjore, e, rrjedhimisht, t’ia ndërpres financimin e paligjshëm.

 

Në të kundërtën, ftojmë Prokurorinë e Kosovës që me urgjencë t’i hetojë këto shkelje të ligjit dhe t’i konstatojë motivet e vërteta të këtij shpërdorimi të Buxhetit të Republikës së Kosovës, – thuhet në komunikatën e kësaj partie parlamentare./koha