KEDS plaçk masive me njehsorë?

Kompania turke “Çalik&Limak”, e cila e ka privatizuar Distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka zbuluar një metodë perfekte për t’i vjedhur konsumatorët e vet nëpërmjet njehsorëve elektrikë digjitalë.

Megjithatë, një vjedhje e tillë masive e konsumatorëve nuk i ka zgjatur shumë, pasi që është zbuluar nga institucionet kosovare, të cilat kanë marrë vendim për suspendimin e përkohshëm të njehsorëve, ndonëse nuk e zbulojnë zyrtarisht një vendim të tillë, duke i dalë në mbrojtje investitorit turk.

Njehsorët e prodhuar në Turqi të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler”, të cilët kompania turke “Limak& Çalik” i ka kontraktuar direkt në fabrikë, në vazhdimësi regjistrojnë shpenzim të energjisë elektrike, edhe atëherë kur të gjithë shpenzuesit elektrikë janë të fikur.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda MTI-së bëjnë të ditur se orët e tilla që KEDS-i i ka vendosur te konsumatorët, regjistrojnë pa ngarkesë prej 1 deri në 25 vat në orë. Mirëpo, në një seri orësh, regjistrimi i matjes pa ngarkesë është edhe më i lartë.

E duke e parë këtë skandal me njehsorë, para pak ditësh Agjencia e Metrologjisë e Kosovës (AMK) ka bërë suspendimin e përkohshëm të miratimit të njehsorëve elektrikë të tipit “AEF.TF-01”, të prodhuesit “Kohler”. Mirëpo, zyrtarisht zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nën autoritetin e të cilit vepron AMK-ja, mohojnë në mënyrë kategorike një gjë të tillë.

“Nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës deri më tani nuk është bërë tërheqja e asnjë miratimit të tipit të ndonjë llojit të njehsorit matës, dhe as të prodhuesin ‘Kohler’”, thotë për “Zërin” këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Demolli.

MTI-ja e fsheh vendimin

Për këtë çështje gazeta i ka bërë edhe shumë pyetje tjera zyrës së ministrit. Mirëpo, këshilltari Demolli pjesërisht është përgjigjur në to.

Por, në vendimin Nr.AMK-006/2014 të datës 18.02.2014, që e ka siguruar gazeta “Zëri” thuhet se drejtori i Agjencisë së Metrologjisë e Kosovës ka nxjerrë vendim për suspendimin e përkohshëm të miratimit të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler”.

Përmes këtij vendimi, drejtori Blerim Sokoli ka kërkuar që të formohet një komision i përbashkët mes Agjencisë dhe KEDS-it për testimin e këtyre njehsorëve.

Po ashtu, drejtori i Agjencisë në bazë të vendimit ka paraparë dhe mënyrën se si do të bëhet testimi i njehsorëve.

“Testimi i kyçjes pa ngarkesë (72 orë) të 2000 mostrave nga 4854 njehsorëve nga loti i parë nga depoja e KEDS-it në objektin e AMK-së. Testimi i mostrave-sasinë prej 200 njehsorësh me përzgjedhje të rastësishme (3 % prej 4854 njehsorëve nga depoja e KEDS-it në tavolinën shqyrtuese të AMK-së. Mbikëqyrja e punës së njehsorit elektrik tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler” të vendosura në rrjet si dhe ritestimet e 200 mostrave të këtyre njehsorëve në laboratorin e AMK-së”, thuhet në vendimin e drejtorit të AMK-së, Blerim Sokoli. Në fund të tij thuhet se komisioni i formuar për punën e kryer duhet t’i raportojë drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Mirëpo, në anën tjetër kundër një vendimi të tillë është shprehur shumë i pa kënaqur drejtori i KEDS-it, Vedi Yesilkilic.

Yesilkilic: I kemi tërhequr 4854 njehsorë

Dy ditë më vonë drejtori turk i Distribucionit i ka drejtuar një letër drejtorit të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës. Yesilkilic i shkruan drejtorit Sokoli se vendimin për suspendimin e përkohshëm të njehsorëve e ka pranuar me shumë shqetësim duke konsideruar se KEDS-i ka një kontratë për furnizim me 125 mijë njehsorë të tillë, implementimin e secilës kontratë, tani detyrohemi ta suspendojmë si pasojë e vendimit tuaj.

“Pamundësia e implementimit të kontratës në fjalë, apo edhe vonesat në implementim nga KEDS-i do të shkaktojnë dëme të mëdha financiare. Në këtë kuptim ne duhet të theksojmë se në kohën kur KEDS-i ka nënshkruar kontratë për furnizim me njehsorë të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler” nga Turqia, ky tip matës ka qenë i miratuar nga ju deri më datën e vendimit të lartpërmendur”, thuhet në letrën e drejtorit të KEDS-it drejtuar drejtorit të AMK-së.

Më tej thuhet se KEDS-i ka bërë verifikimin e njehsorëve të parë të instaluar nga dërgesa prej 7200 dhe ka kërkuar që ata të testohen në laboratorin e AMK-së, ku si rrjedhojë kanë rezultuar gjetjen e regjistrimit pa ngarkesë.

“Si rezultat ne iu kemi njoftuar se kemi tërhequr 4854 njehsorë dhe i kemi përgatitur për kthim mbara, ndërsa nga ngarkesa II dhe III nuk kemi pasur reklamime dhe vetëm 1200 njehsorë kanë mbetur pa u instaluar.

Shkodra: Kemi identifikuar defekte minore

Në anën tjetër, Guri Shkodra, zyrtar për media në kompaninë KEDS, ka thënë se gjatë instalimit të dërgesës së parë të njehsorëve, KEDS-i ka identifikuar një numër shumë të vogël të njehsorëve që regjistrojnë defekte minore për të cilat menjëherë është njoftuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ka qenë kërkesë e KEDS-it që testime shtesë të performohen për shkak se nuk kemi për qëllim instalimin e pajisjeve me defekte, sidomos pasi që të njëjtat pajisje janë inspektuar dhe testuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë paraprakisht.

Për më shumë, ka qenë vendim i KEDS-it të ndalojë instalimin e njehsorëve tjerë nga dërgesa e parë deri në identifikimin dhe qartësimin e situatës, edhe pse niveli i njehsorëve me defekte ka qenë i vogël dhe është në proporcion me mundësitë e shfaqjes së defekteve të tilla gjatë prodhimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, e gjitha kjo është bërë me qëllim që pajisjet që instalohen të jenë pa defekte. Ai më tej ka thënë se KEDS-i ka përfshirë prodhuesit në proces për të siguruar që çfarëdo çështje tjetër potenciale dhe defekte të tilla të vogla të eliminohen paraprakisht.

“Nëse ka dyshime për mbifaturim, lusim të gjithë konsumatorët të adresojnë kërkesat, ankesat dhe propozimet e tyre përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të KEDS-it. Për më shumë, njehsorët digjitalë përfaqësojnë klasë të avancuar të saktësisë dhe memorizojnë gjendjen e kilovatëve të shpenzuar për 12 muaj mbrapa, regjistron kilovatët në çdo kah të rrjedhjes së energjisë elektrike dhe vlerësohen për ndjeshmëri dhe saktësi të matjes së rrjedhjes së energjisë elektrike edhe në nivele të ulëta të tensionit”, ka thënë më tej ai.

Sipas tij, përfundimisht, KEDS-i nuk ka montuar dhe nuk do të montojë asnjë njehsor që paraprakisht nuk kalojnë testet nga Agjencia e Metrologjisë e Kosovës në MTI dhe pa plumb të vendosur nga po i njëjti institucion./zeri

Artikulli paraprakGold AG thirret nga policia, i dyshuar për vepër penale (Foto)
Artikulli vijuesVajza egjiptiane rrëfen trajtimin çnjerëzor nga forcat e sigurisë