PDK kërkon deputetë

Partia Demokratike e Kosovës po negocion me deputetë të disa partive për t’i bërë pjesë të këtij subjekti. Pavarësisht çarjeve në këtë parti, zyrtarë të PDK-së thonë se kanë vota të mjaftueshme për secilin vendim në Parlament, duke përfshirë edhe rrëzimin e mocionit për pezullimin e privatizimit. Por, në partinë e Hashim Thaçit e pranojnë se në seancën e së enjtes nuk do të llogarisin në votat e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt

Dy ditë para votimit në Parlament për vazhdimin ose jo të privatizimit, partia më e madhe në pushtet ka mobilizuar deputetët e saj për seancën e së enjtes, shkruan “Express”.

Në një mbledhje të Grupit Parlamentar të PDK-së, në të cilën si rrallëherë ka marrë pjesë edhe kreu i saj, kryeministri Hashim Thaçi, janë ndarë edhe detyrat e gjithsecilit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, pas mbledhjes i ka thënë “Expressit” se partia e tij i ka numrat për të votuar rezolutën e propozuar nga ajo, për vazhdimin e procesit të privatizimit në Kosovë.

“I kemi të gjithë numrat dhe normalisht që do të votojmë rezolutën të cilën e kemi propozuar ne”, ka thënë Grabovci për “Express”, të martën.

Pavarësisht kësaj, kjo parti tashmë nuk llogarit më në dy vota.

Një zyrtar i PDK-së ka thënë në kushte anonimiteti se ky subjekt nuk ka besim në përkrahjen e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit në Kuvend.

“Është e vërtetë që numrat i kemi, i kemi 65 dhe me këta numra mund ta votojmë cilindo vendim në Kuvend, por tashmë mund të llogarisim në minus dy, ngase qëndrimet e atyre dyve po dihen edhe publikisht”, ka thënë ai.kohaislame

Artikulli paraprakKosova duhet t’i përmbushë kriteret afatshkurtra
Artikulli vijuesBixhoz me para të shtetit