Lëvizjet e para në Prokurori; Rreshka kryeprokuror i Tiranës (Video)

Në ditën e 10 në detyrën e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku ka firmosur lëvizjet e para në organin e akuzës.

Drejtoresha e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, Rovena Gashi është lëvizur nga ky post, për t’u zëvendësuar me njërin nga garuesit me Prokuroren e Përgjithshme Marku, zotin Arqile Koçi, prej vitesh prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Arqile Koçi do të ketë gjithashtu nën varësi edhe sektorin, që sipas ligjit të dekriminalizimit, verifikon integritetin e zyrtarëve.

Ndërkohë, prokurorja Rovena Gashi është caktuar prokurore pranë sektorit të dekriminalizimit, pikërisht sektor në të cilin zonja Gashi firmosi së fundmi kërkesën për heqjen e mandatit për dy deputetet Aqif Rakipi dhe Gledion Rahovica. Për këtë lëvizje reagoi Partia Demokratike që e cilësoi si një hakmarrje direkte e Kryeministrit Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.

Lëvizjet e kryeprokurores Marku kanë vazhduar me Alketa Ziflën, që e ka marrë si krahun e saj te djathte, si shefe kabinet. Me këtë emërim, nisin edhe lëvizjet e para në prokurori. Drejtimin e prokurorisë më të madhe në vend, Tiranën, do ta drejtoje Dritan Rreshka, i diplomuar për magjistrature dhe një nga liderët e njësisë Task Forcë të ngritur vite më parë me mbështetjen e amerikanëve.

Rreshka zëvendëson ish-eprorin e tij Petrit Fusha, i cili kalon prokuror sektori për çështje të veçanta. Në fakt, përpara se të kryente lëvizjet, e premtja e Prokurores së Përgjithshme ka nisur me një takim në zyrën e saj me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili qëndroi në organin e akuzës për 30 minuta.

Sikurse njofton zyra e shtypit në qendër të takimit ishte jo vetëm forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve shpesh në marrëdhënie delikate me njëra-tjetrën.

Dy zyrtarët kanë diskutuar edhe për procesin e Vettingut, që përveçse në sistemin e drejtësisë është në zhvillim edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Marku-Xhafaj kanë rënë dakord të përdorin komunikimin intensiv si një ndër armët për të dy vettingjet, në mënyrë që siç thuhet në njoftimin zyrtar, të realizohet pastrimi i institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë nga zyrtarët me probleme./TCH/

 

Artikulli paraprak“Kosova duhet të ishte njohur prej kohësh prej të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian”
Artikulli vijuesMinistri i FSK-së, synon ta bindë Listën Srpska për ta votuar Ushtrinë