Lidhjet e Blerim Devollit shtrihen deri në Karaibe

Insajderi ka zbuluar se Blerim Devolli, biznesmeni i fuqishëm pejan që ka përfituar shumë nga vendimet e pushtetit, ka shtrirë lidhjet e tij biznesore deri në Anguilla, një vend që njihet si strehë fiskale ngjashëm si Panamaja.

Një kompani me bazë në Anguilla është pjesë e një skeme pronësie që përfshin bizneset “Devolli Group”, “Birra Peja” e “Z-Mobile”.

Blerim Devolli, biznesmeni i fuqishëm pejan, përgjatë viteve ka pritur e përcjellë zyrtarë të lartë shtetëror e ambasadorë me ndikim, në perandorinë e tij biznesore. Ai vetëm në një aheng familjar në tetor të 2013-es ka mbledhur gati gjysmën e krerëve të PDK-së. Aty ishin Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Adem Grabovci dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

Perandoria e biznesit të Blerim Devollit është shtrirë në tërë Republikën duke përfituar shumë nga vendimet shtetërore. Shteti i ka mundësuar Blerim Devollit që të përfitojë në mënyrë të diskutueshme nga operimi i Z-Mobile dhe të privatizojë Fabrikën e Amortizatorëve.

Derisa publikisht ka shtrirë lidhjet në tërë Kosovën, Blerim Devolli në anën tjetër-larg syve të publikut-ka arritur të shtrijë lidhjet biznesore deri në ishujt Karaibe, pikërisht në Anguilla, një vend që njihet në botë si strehë e leverdishme fiskale.

Shtrirja e lidhjeve deri në Anguila nisi me “Z-Mobile”

Insajderi ka zbuluar se lidhjet e korporatës së madhe kosovare shtrihen deri në Maltë dhe në ishujt që gjenden në Karaibe. Anguila, një prej ishujve që gjendet në Karaibe, njihet si strehë fiskale e ngjashme me Panamanë.

Shtrirja e lidhjeve të Blerim Devollit drejt këtyre vendeve, Malta dhe Anguilla, ka nisur para më shumë se dy vitesh, më saktësisht më 7 mars të vitit 2014.

Atë ditë ishte shtuar edhe një aksionar në kompaninë “Dardafone”, që operon me emrin tregtar Z-Mobile. Ishte kompania “K-COM”, që u bë pronare e kësaj kompanie bashkë me Blerim Devollin.

Devolli Group, në faqen zyrtare të Z-Mobile, e promovon këtë firmë si kompani amerikane.

“Dardafone është kompani kosovare me kapital të përzier, me bashkëpronarë të përbërë nga Korporata Devolli dhe K-Com, kompani amerikane”, thuhet në faqen zyrtare të operatorit virtual të telefonisë mobile.

Z-Mobile ka përfituar për vite më radhë nga mundësia që i ka dhënë Postë-Telekomi i Kosovës, për të operuar si operator virtual i saj. Një proces i madh gjyqësor ishte zhvilluar lidhur me këtë kontratë.

Blerim Devolli dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Blerim Devolli bashkë me Shkëlqimin, vëllain e tij, Ismet Bojkun akuzoheshin për veprat penale të mashtrimit, hyrjes në kontrata të dëmshme dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në raste të veçanta.

Por Insajderi ka gjetur se kompania “K-COM” është në pronësi të dy kompanive me bazë në Maltë. Bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit të Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit të Kosovës (ARBK), të siguruara nga Insajderi, pronarë të kësaj kompanie figurojnë “H&P Trust Company Ltd” dhe “H&P Corporate Services Ltd”. Të dy kompanitë malteze kanë bazën në Indepence Square (Sheshi i Pavarësisë) në kryeqytetin maltez, Valeta.

Shitja e Devolli Group

Përveç në rastin e Z-Mobile, Blerim Devolli vazhdoi bashkëpunimin me dy kompanitë malteze.

Pesë muaj më pas, më 14 gusht të vitit 2014 Blerim Devolli i’a shiti zyrtarisht kompaninë “Devolli Group” një kompanie të quajtur “Abrazen LTD”.

Kompania “Abrazen LTD”, bazuar në të dhënat në ARBK, të siguruara nga Insajderi, është në pronësi të dy kompanive malteze “H&P Trust Company Ltd” dhe “H&P Corporate Services Ltd”.

Insajderi ka zbuluar edhe aksionarët e mëdhenj të kompanisë “H&P Corporate Services Ltd”.

Bazuar në të dhënat e regjistrave biznesor në Malta, janë tri kompani që figurojnë si aksionarë kryesor të kësaj kompanie.

Është kompania “H&P Trust Holdings AG” me bazë në Cyrih të Zvicrrës, kompania “H&P Private Equity Partners AG”, po ashtu me bazë në Cyrih të Zvicrrës si dhe kompania “Daedalus Ltd” me bazë në Anguilla.

Adresa e kësaj kompanie figuron se është “Maico Building, The Walley” në ishullin Anguilla që gjendet në Karaibe.

Avokatët Frrats dhe Woestenburg drejtojnë kompaninë e ndërlidhur me Devolli Group

Pikërisht në këtë ndërtesë i ka zyrat edhe kompania “Athos Group-Family and Busines Services”.

Pjesë e kësaj kompanie është Hans Frrats, një avokat i njohur i taksave ndërkombëtare. Ai ka punuar që nga viti 1997 si konsulent i taksave dhe udhëheq degën e “Athos Group” në Zvicër.

Emri i tij shfaqet edhe në kompaninë “H&P Corporate Services Ltd”, që është aksionare në “K-COM”, e cila ka hise në Z-Mobile dhe po ashtu është aksionare në “Abrazen LTD”, që figuron si kompani pronare e “Devolli Group”.

Frrats bashkë me Barry Woestenburg janë drejtorë të kompanisë “H&P Corporate Services Ltd”. Edhe Woestenburg ka përvojë të gjatë konsulente për taksat ndërkombëtare dhe udhëheq zyrën e “Athos Group” në Malta.

Kompania malteze “H&P Corporate Services Ltd”, e cila drejtohet nga Frrats dhe Ëoestenburg, është pjesë e “H&P Trust Group”.

“Ne punojmë në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e afërt të klientëve dhe krijojmë zgjidhje efektive të taksave dhe ofrojmë zgjidhje ligjore. “H&P Trust Group”, është krenar që i shërben familjeve me reputacion, sipërmarrësve dhe kompanive të tyre”, thuhet në përshkrimin zyrtar të kësaj kompanie.

Përafërsisht ngjashëm thuhet edhe në faqen zyrtare të kompanisë “Athos Group”, pjesë e së cilës është avokati Hans Frrats.

“Partnerët dhe stafi i lartë i “Athos Group” përbëhet nga një grup këshilltarësh me shumë përvojë në tatime, avokatë dhe kontabilistë me njohuri të gjerë në planifikimin ndërkombëtarë tatimor, mbrojtjen e aseteve të kompanive dhe në shërbimet e mirëbesimit”, thuhet në faqen e kësaj kompanie.

Në faqen zyrtare të kësaj kompanie shënohet se ofrohen shërbime në dhjetë shtete. Një prej tyre është edhe Anguilla. Aty tregohen leverditë e sistemit të taksave të këtij shteti. Tregohet se Anguilla ka sistem neutral ndaj taksave dhe nuk mbledh të hyra nga tatimet e korporatave.

Hisedarët “maltezë” të Birra Peja

Edhe në biznesin “Birra Peja”, janë të përfshira dy kompanitë malteze, njëra prej të cilave ka lidhje me ishullin Anguilla. Bazuar në regjistrat e biznesit në ARBK, pronarë të Birra Peja janë “Devolli Group”, dhe “Globosos LLC”. Pronare e kompanisë “Globosos LLC”, është firma “Globosos LTD”.

Ndërkaq “H&P Trust Company” dhe “H&P Corporate Services” janë pronarë të “Globosos LTD”.

Portali Ekapija.com, më datën qershor të vitit 2014, pati raportuar se birraria sllovene “Llashko” ka shitur 57.63 përqind të aksioneve të “Birra Peja”. Aksionet janë shitur për 14.75 milionë euro dhe i ka blerë Blerim Devolli, pronar i firmës “Globosos”, pati raportuar portali Ekapija.

Devolli Group, në një përgjigje dhënë Insajderit, mohoi raportimin e këtij portali. “Transaksioni, në shumën që i referoheni është bere nga Devolli Group, përmes së cilës janë blerë aksonet e Pivorana Union në Birra Peja. Këtë mund ta konfirmoni edhe në ARBK”, thuhet në përgjigjën e kësaj kompanie.

Devolli Group: Jemi ndër punëdhënësit dhe tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë

Devolli Group, në një përgjigje dhënë Insajderit, ka pohuar se shitja e kompanisë është bërë për arsye ekonomike.

“Devolli Group është shitur për shkak të arsyeshmërisë ekonomike që kanë evidentuar palët kontraktuese. Ndërsa për çështjet e tjera mund ti referoheni regjistrave publik, apo edhe ta kontaktoni selinë qëndrore të kompanisë Abrazen”, thuhet në përgjigjen e Devolli Group.

Por pse pikërisht marrëveshja e shitjës së aksioneve u bë me kompani që ndërlidhen me Maltën dhe me ishullin Anguila, që njihet si strehë fiskale?

“Kompanitë në fjalë vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian (Anguila është pjesë Mbretërisë së Bashkuar) dhe siç pohuam në përgjigjen më lartë shitblerja ka ardhur si rezultat i dakordimit të kompanive serioze në bazë të interesave ekonomike. Përndryshe nuk e kemi aspak të qartë se në bazë të çfarë informate apo kriteri i vlerësoni shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si parajsa fiskale. Në fakt me siguri tatimi në këto shtete duhet të jetë disa herë më i lartë se në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e “Devolli Group”.

Në përgjigjen e kësaj kompanie thuhet se “Birra Peja dhe “Devolli Group”, kanë arritur që të bëjnë katër gjërat më të nevojshme në ekonominë kosovare: Tërheqja e investitorëve të huaj, prodhimi, punësimi dhe eksporti. Të dy kompanitë janë punëdhënësit dhe ndër taksapaguesit më të mëdhenjë në Kosovë”,

Tutje në përgjigje thuhet se “bazuar në ligjet e aplikueshme në Kosovë të gjitha kompanitë që operojnë në territorin e Kosovës janë të obliguara që të paguajnë tatimin në Kosovë dhe kështu vepron edhe “Devolli Group” dhe Birra Peja”.

“Investitorët që kanë blerë pjesë të kompanive në Kosovë vijnë nga vendet e BE-së, të cilat kanë edhe taksa shumë më të larta se ne Kosovë po edhe qëndrojnë mirë sa i përket trasparencës. Nuk ka asnjë referencë që këto vende i qet në listën e oazave fiskale, sic pretendohet në pyetjet tuaja”, thuhet në përgjigjen e “Devolli Group”.

Artikulli paraprakVetëvendosje: Jemi për opozitë të bashkuar, por jo nëse flirtohet me pushtetin
Artikulli vijuesTurqia ndërton tre kapacitete të reja për 40 mijë refugjatë sirianë