Beteja frontale e LSI për të shfaqur profilin e saj opozitar në tremujorin e fundit të marrëveshjes katër vjeçare për bashkëqeverisje, është mbresëlënëse.
Është një lëvizje energjike, e mirëorganizuar, një betejë e cila synon t’i japë LSI-së statusin e viktimës nga bashkëqeverisja dhe natyrisht, të drejtën për të qenë opozitare.
Po ngjan tejet normale, që Ilir Meta të protestojë për mos-arrestimin e Balilit, Lefter Koka të flasë kundër betonizmit (vetë ka hyrë deri në mes të detit në Durrës), dhe Vangjel Tavo të flasë si Vangjel Dule për “bastisje” të minoritetit grek.
Socialistët e Edi Ramës po ruajnë qetësinë, pasi nuk e konsiderojnë betejën e tyre. Ajo që kërkon LSI me vrullin e saj opozitar, është një betejë për t’i zënë vendin opozitës. Qeveria po rri mënjanë dhe përveç ndonjë “shkëndije” të Edi Ramës, që i vë zjarrin nervave të tendosura të opozitarëve brenda qeverisë, duket se pjesa tjetër po e shijon këtë si një përpjekje të LSI-së për të fituar një status të ri opozitari para zgjedhjeve. Dhe duket se nuk e llogarisin si rrezik.
Nga ana tjetër, opozita zyrtare ka shastisur para këtij vrulli opozitar të LSI-së. Beteja e tyre kundër Edi Ramës, e krahasuar me betejën e LSI, ngjan si lojëra kalamajsh. Fjala vjen, tani kemi një ministër Drejtësie që akuzon me guxim shumicën, se ka deputetë vrasës, ndërsa opozita ka kandidat për ministër Drejtësie, Ristanin, që akuzon Edi Ramën pse ka ikur në Itali.
Në pushtet kemi një ministër Mjedisi që akuzon pushtetin se ka bllokuar ndryshimin politik në Durrës me shefa policie dhe dhunë, ndërsa në opozitë kemi Eduard Halimin, që thotë, ose votim elektronik, ose nuk vijmë në zgjedhje. Akuzat që vijnë nga LSI dhe akuzat që vijnë nga PD, janë si dita me natën, dhe debati publik dominohet nga akuzat e LSI-së. Vetë PD është e hutuar nga ky vrull opozitar i LSI, ka lënë punën në mes dhe po rri e vështron se si duhet bërë opozitë.
Në të vërtetë, në këtë histori disa mujorëshe para zgjedhjeve, nuk duhet pritur diçka tjetër. Beteja e LSI kundër pushtetit ku është ende pjesë, tregon se ajo është më afër garës më vete, ose me PD, në zgjedhjet që vijnë, dhe qetësia e PS, është një përgjigje e një shumice të qetë.
I vetmi problem në këtë pikë është morali publik i qeverisë në raport me ministrat opozitarë të saj. Është diçka që ka të bëjë me marrëveshjen zyrtare të tyre dhe procedurat e funksionimit të qeverisë. Deri më sot, LSI i ka ndryshuar ministrat për interes të vet. Ky është rasti kur LSI duhet të ndryshojë ministra për imazhin publik të qeverisë. Nëse e bën, tregon se është ende luajale me qeverinë, ose së paku, opozita nuk e ngroh. Nëse e detyron Edi Ramën ta bëjë vetë, do të thotë se gjërat kanë shkuar shumë larg.
Por në të dyja rastet, opozita “rri e vështron yjet opozitare të pushtetit”.