MBI MU’XHIZEN

Dr Mustafa Mahmud

MBI MU’XHIZEN

Miku tha:
– Nuk e kuptoj se si Zoti Mëshirues, për të cilin ju thoni se është i butë, i mëshirshëm, fisnik, se shumë fal etj., i lejon vetes, një Krijues dhe Zot i tillë, t’i urdhërojë Të dërguarit të Tij, Ibrahimit, që ta therë fëmijën e vet. A nuk do të pajtohesh së bashku me mua se në mbarë këtë është shumë vështirë të besohet?

– Nga konteksti i të rrëfyerit kur’anor për Ibrahimin a.s. dhe birin e tij Ismailin, qartë shihet se qëllimi i Zotit nuk ka qenë që Ibrahimi ta therë birin e vet, sepse po ta dëshironte këtë All-llahu xh.sh. pa dyshim ajo edhe do të ndodhte. Mirëpo, është e njohur se Ismaili nuk ka qenë i flijuar si kurban. Nga Ibrahimi a.s. është kërkuar që të ngadhënjejë dashurinë e tij të flakët ndaj fëmijës së tij të lindur, që të jetë zot i ndjenjave të tij, që të lirohet nga lidhshmëria e tepruar me Ismailin, sepse nuk është e lejuar që zemra e Të dërguarit të Zotit të jetë e lidhur për dikë tjetër në atë masë sa është e lidhur për All-llahun xh.sh. Zemra e Të dërguarit të Zotit duhet patjetër të jetë e përmbushur me dashuri të pafundshme ndaj All-llahut xh.sh. Çdo gjë tjetër, si bota, fëmijët, autoriteti, mundimi, janë me rëndësi të dorës së dytë. Ismaili, siç është e ditur, është lindur kur ati i tij ka qenë në pleqëri të thellë. Nga ky shkak ndoshta ajo dashuri e flakët e babait ndaj tij. Atëherë All-llahu xh.sh. e vë në sprovë Të dërguarin e vet në mënyrë që të hulumtohet saktësia e tij e interpretimit të këtillë. Dhe ç’ndodhi. Mjaftonte që I dërguari i Zotit vetëm ta pranonte urdhrin e Zotit dhe menjëherë t’i qasej ekzekutimit të tij. Mirëpo, atëherë vjen urdhri i Zotit për zëvendësimin e sakrificës.

E ç’mendoni për mu’xhizet e: Ibrahimit a.s. – për hyrjen e tij në zjarr i cili nuk e djeg, për shkopin e Musaut a.s. të cilin ai e shndërron në gjarpër dhe me të cilin e çan detin, pastaj për dorën e tij të bardhë… Vallë a nuk të përngjet e gjithë kjo në programin akrobatik të ndonjë cirku. A thua ka nevojë Zoti që fuqinë dhe madhërinë e Vet ta dëshmojë me diç që vetvetiu është absurd dhe paraqet prishje të rendit dhe rregullit në natyrë. A thua, a nuk janë pikërisht rendi, sistemi, arsyeja, disiplina, me një fjalë ligjet të cilat zotërojnë në natyrë, dëshmitë më të fuqishme të madhërisë dhe fuqisë së Zotit?

– Më duhet patjetër të të them se mu’xhizen e ke kuptuar gabimisht. Ajo, sipas mendimit tënd, është akrobatizëm (pehlivanllëk), kundërshtim i rendit dhe absurd. Mirëpo, mu’xhizja është krejtësisht diç tjetër.
Më lejo që këtë të ta shpjegoj me shembuj! Të supozojmë që sikur ti të kishe mundësi me çfarëdo rasti të ktheheshe tre mijë vjet prapa dhe ta vizitosh faraonin egjiptian duke marrë me vete një transistor të madhësisë së një shkrepseje, i cili këndon dhe flet. Ç’mendon, çka do të bënte faraoni dhe suita e tij? S’ka dyshim se të ngurosur (habitur) do të bërtitnin se kjo është mu’xhize, magji dhe kundër çdo ligji, edhe pse ne të gjithë e dimë se në mbarë këtë s’ka asgjë të çuditshme dhe të mbinatyrshme, sepse tërë ajo që ndodh brenda transistorit ndodh sipas ligjeve të elektronikës dhe si e tillë është plotësisht normale dhe e kuptueshme. Me çfarë habie, ndërkaq, do të të shikonte mbreti i Babilonisë sikur ta vizitoje me televizor në dorë i cili emiton fotografi nga Perandoria Romake, ndërkaq mbreti asirian, krejt i çmendur, do të të duartrokiste po të dëgjonte zërin nga pllaka e gramafonit të cilin e ke lëshuar.

Edhe historia më e afërt ka shënuar reagime gati të njëjta. Kështu për shembull kur erdhën kolonialistët në Afrikë dhe kur ateroi aeroplani i parë në një pyll të pashkelur, vendasit e atjeshëm nga frika ranë duke u lutur lakuriq për tokë, pastaj filluan t’u bien daulleve dhe të flijohen duke thënë se ai është Zoti që ka zbritur nga qiejt, sepse atë që e panë me sytë e tyre ishte kundër të gjitha ligjeve “logjike” të cilat ata i njihnin, edhe pse ne e dimë mirë se fluturimi i aeroplanit zhvillohet sipas ligjeve konsoliduese (të aerodinamikës – shën. përk.) dhe se me rastin e konstruimit të aeroplanit është dashur doemos ato të merren parasysh. Për këtë arsye mu’xhizja nuk është prishje e rendit por respektim i rendit. Uji ngjitet nëpër trungun e hurmës përkundër gravitacionit. Fjala është për ligjin e kompaktësisë së shtyllës ujore, ligjit të fijeve të veçanta (rrënjore) dhe ligjit të shtypjes osmotike të cilët e tërheqin ujin lart.

Ne asnjëherë nuk dalim nga suazat e arsyes, as jashtë të të kuptuarës. Mahnitja e vendasve pason nga mosnjohja e ligjeve në natyrë. E tillë është edhe mahnitja jote para çarjes së detit që e bëri Musau a.s. dhe shndërrimi i shkopit në gjarpër, para ngjalljes së të vdekurve të Isaut a.s., hyrjes së Ibrahimit në zjarr që s’mund ta djegë etj. Për ty kjo është e pamundur sepse i then ligjet. Ti këtë e konsideron akrobatizëm, edhe pse e gjithë kjo zhvillohet sipas ligjeve të Zotit që i tejkalojnë ligjet të cilat deri tash i kemi zbuluar. Fjala është vetëm për një ndodhi më të lartë dhe një rend më të lartë, i cili është krejtësisht logjik, edhe pse mendja jonë ende nuk e arrin. Zoti xhel-le-shanuhu nuk e prish këtë rend me mu’xhize por me ato na i zbulon nivelet e tij më të larta.

Behaijët kanë gabuar gjithashtu duke i mohuar mu’xhizet sikur edhe ti, sepse i kanë konsideruar mospërfillje dhe përçmim i mendjes. Ata i kanë refuzuar kuptimet e fjalëpërfjalshme të tekstit kur’anor, dhe sipas të kuptuarit të tyre Musau, a.s. me shkopin e tij nuk e ka çarë detin, por shkopi i tij e ka simbolizuar sheriatin i cili e ndanë të vërtetën, dora e tij e bardhë, sipas tyre, është mishëruar në dorë të së mirës; Isau i ka ngjallur shpirtrat e jo trupat, ia ka hapur pamjet mendjes, e nuk ua ka kthyer pamjen të verbërve. Për ata mbarë kjo ka qenë vetëm alegori dhe simbolikë kur’anore, sepse tërë këtë s’kanë mundur ta kuptojnë.

Ne sot jetojmë në kohën në të cilën aspak nuk është vështirë të kuptohen mu’xhizet. E pamë se si shkenca na dërgoi në Hënë. Nëse kjo na shkoi për dore duke iu falënderuar dijeve tona, atëherë është jashtë çdo dyshimi që dija e Zotit të na ofrojë forcë dhe fuqi më të madhe. Dëgjoje pak këtë ajet të bukur kur’anor:

“O grup i exhineve dhe njerëzve! Nëse ju mendoni se mund të depërtoni nëpër sferat e larta të qiellit dhe të Tokës, atëherë provoni! Por nuk do të mundeni të depërtoni pa ndonjë fuqi të madhe.” (Err-Rrahmân, 33).

Artikulli paraprakMAKSIMA KUR’ANORE: “LÂ ILÂHE IL-LALL-LLAH” NUK KA ZOT TJETËR PËRVEÇ ALL-LLAHUT
Artikulli vijuesKUPTIMI I FESË