Mesazhet e “Endrit shefit” kërkohen në serverët e PTK-së

Mesazhet telefonike të cilat flasin për kurdisje të tenderëve janë të shumtë. Ato janë shkëmbyer ndërmjet ish-këshilltarit të Fatmir Limajt dhe pronarit të kompanisë “Tali”, Florim Zuka, në janar të vitit 2009, disa muaj para bastisjes në MTPT.
Ecuria e tenderit varej nga “Endrit shefi”, siç e quante Florim Zuka, Endrit Shalën. Këto mesazhe dyshohet se janë fshirë në PTK, shkruan “Koha Ditore”.

Prokuroria po kryen hetime. Prokuroria po dyshon se deputeti Fatmir Limaj ka arritur të futej deri në serverët e kompanisë së telefonisë mobile “Vala” për të fshirë mesazhe telefonike të shkëmbyera ndërmjet Endrit Shalës dhe Florim Zukës.

Burime nga Prokuroria kanë thënë se këtë e ka bërë me anë të ndikimit që ka ai dhe vëllai i tij, Demir Limaj, i cili mban pozitën e drejtorit të Departamentit të Marketingut në PTK.

“Prokuroria dyshon se mesazhet janë fshirë në PTK dhe ka nisur një fushatë manipulimi në opinion për t’i prezantuar mesazhet telefonike që flasin për kriminalitet në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe kurdisje të tenderëve”, ka thënë një burim. “Nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla aty sepse kompania është drejtuar dhe drejtohet nga njerëz që kanë rënë ndesh me ligjin, janë të akuzuar dhe duke u gjykuar për krime të ndryshme”.

EULEX-i të martën nuk e ka mohuar nisjen e hetimeve në PTK. Ky mision nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se nuk i komenton pretendimet e palës mbrojtëse se mesazhet janë montuar dhe manipuluar. /Telegrafi/

Artikulli paraprakThaçi i humbi “kokrrat”
Artikulli vijuesAutomobili feston ditëlindjen e vet të 127-të