Mbi 59 për qind e qytetarëve të Mitrovicës dhe fshatrave përreth jetojnë në varfëri. Kjo shifër është alarmante, thonë zyrtarët nga Drejtoria e Qendrës Rajonale për Punësim në Mitrovicë. Edhe zyrtarët e Kuvendit Komunal thonë se po rritet numri i familjeve që kërkojnë asistencë sociale. Qytetarët shprehen se kjo situatë po bëhet e papërballueshme. Një qytet që dikur ishte industrial, sot është më i godituri nga varfëria në vend.
Më shumë se 59 mijë të papunë, me 2 200 familje në asistencë sociale, Mitrovica dalëngadalë po shndërrohet në një qytet të skamnorëve.
Rexhë Avdiu, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve, është vetëm njëri nga ata të cilët po përballen me statusin e të qenit i papunë.
Ai thotë se po jeton në gjendje shumë të rëndë, së bashku me 6 anëtarët e tjerë të familjes.
Edhe qytetarët e tjerë të Mitrovicës ankohen se gjendja është më e keqe se që paraqitet.
Se qytetarët po jetojnë në shkallë të lartë të varfërisë, pajtohen edhe zyrtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, të cilët thonë se në këtë aspekt ka ndikuar situata politike dhe e sigurisë.
Në Drejtorinë e Qendrës Rajonale për Punësim thonë se qytetarët e Mitrovicës dhe rajonit kanë të ardhura aq sa për të mbijetuar.
Ramadan Kelmendi, nga kjo qendër, tha se përqindja e të papunëve në Mitrovicë është mbi 50 për qind.
Ndryshe, që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, qyteti i Mitrovicës vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë. Në jugun, të dominuar nga popullata shqiptare me probleme të mëdha ekonomike e sociale, dhe në veriun e sunduar nga strukturat ilegale, që është shndërruar në një oazë kontrabande dhe krimi të organizuar, raporton KTV.kohaislame