Vendimi i naftëtarëve për përkrahjen e fiskalizimit vije pas një bllokade të këtij procesi për më shumë se 3 vjet.
ATK-ja e kishte nisur procesin e montimit të një sistemi të veçantë të fiskalizimit tek naftëtarëve, në vitin 2012. Ky sistem ia mundëson ATK-së që të kontrollojë të gjitha daljet/shitjet e naftës që i bëjnë naftëtarët.
Shoqata e naftëtarëve është pajtuar që të rinis montimin e sistemit të veçantë të fiskalizimit nëpër pikat e shitjes së naftës. Rifillimin e procesit të fiskalizimit e kanë përkrahur të gjithë anëtarët e Shoqatës së Naftëtarëve në një mbledhje që është mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës. Në këtë kuvend të naftëtarëve kanë marr pjesë edhe zv.ministri i financave, Agim Krasniqi, zv.drejtori i ATK-së, Hamdi Hoxha dhe dy anëtarët e komisionit për zhvillim ekonomik, Blerim Grainca e Bali Muharremaj.
Vendimi i naftëtarëve për përkrahjen e fiskalizimit vije pas një bllokade të këtij procesi për më shumë se 3 vjet. ATK-ja e kishte nisur procesin e montimit të një sistemi të veçantë të fiskalizimit tek naftëtarëve, në vitin 2012. Ky sistem ia mundëson ATK-së që të kontrollojë të gjitha daljet/shitjet e naftës që i bëjnë naftëtarët. Përmes këtij sistemi, ATK-ja kishte paralajmëruar se do të bënte parandalimin e shmangies së tatimit nga ana e naftëtarëve.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha se naftëtarët nuk kanë qenë kundër rifiskalizimit, porse ata nuk janë pajtuar me çmimin e këtij fiskalizimi.
“Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër rifiskalizimit por me përpjekjen tonë tani kemi arritur të ulim çmimin nga 18 mijë e 500 euro në 4 mijë euro”, theksoi Berjani.
Ai ka thënë se procesi i fiskalizimit të naftëtarëve ka nisur në një kohë kur ka pasur monopol në tregun e shitjes së këtyre pajisjeve të veçanta fiskale.
“Me hyrjen e operatorit të dytë në treg kemi edhe rënie të çmimit”, tha kryetari Berjani duke shtuar se naftëtarët janë të lirë të zgjedhin cilën kompani të dëshirojnë.
Aktualisht janë dy kompani që merren me shitjen e sistemeve të veçantë të fiskalizimit për naftëtarë: Enternet dhe Global Service.
Zv.drejtori i ATK-së Hamdi Hoxha tha se në treg kemi dy operatorë të licencuar për fiskalizim dhe katër kompani që ofrojnë pajisje fiskale në nivel të vendit.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca iu bëri thirrje kompanive që merren me shitjen e naftës që të fiskalizohen. Ai ka thënë se shoqata ka qenë mjaftë aktive në imponimin e kërkesave të tyre sa i përket fiskalizimit, por edhe sa i përket ligjit të ri të naftës që është në procedurë në Kuvend.
E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar një gatishmëri të naftëtarëve për t’iu përgjigjur obligimit ligjor për fiskalizim.
“Jam shumë i kënaqur që 180 kompani këto kohët e fundit janë në procesin e rifiskalizimit”, tha Gërxhaliu.
Nga kjo mbledhje kanë dal edhe disa kërkesa. Është ripërseritur kërkesa që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në pikat doganore përmes laboratorëve. Është kërkuar edhe një hetim për kompanitë që për shumë kohë e kanë shfrytëzuar pozitën e monopolit për t’i mbajtur çmimet e fryra.
I menjëhershëm ka qenë reagimi katër kompani të licencuara për fiskalizim: Gekos, Enternet, Dukagjini dhe Printec.
Në deklaratën e përbashkët thonë se asnjëherë nuk ka pasur monopol në tregun e arkave fiskale. Thonë se naftëtarët nuk e kanë refuzuar fiskalizimin për shkak të çmimit të lartë.
“Refuzimi I fiskalizimit të naftëtarëve nuk ka pasur qëllim as çmimet as monopolin, por futjen e kompanisë së tyre në treg dhe fiskalizimin e vetvetes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre katër kompanive. Kanë kërkuar hetime ndaj kryetarit të shoqatës së naftëtarëve për bllokim të fiskalizimit.
E pjesëmarrjen e nivelit qeveritar në Kuvendin e Naftëtarëve, këto kompani e shohin si dëshmi të lidhjeve të naftëtarëve me politikën.
“Pjesmarrja e zv.drejtorit të ATK-së Hamdi Hoxha dhe zv.ministrit të Financave Agim Krasniqi në konferencën e përbashkët me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, tregon lidhjet e këtij grupi të naftëtarëve në këto dy institucione dhe ndikimin e tyre për të ndalur fiskalizimin për 3 vite. Shoqata e kompanive të arkave fiskale, bënë thirrje për përmbylljen sa më të shpejt të procesit të fiskalizimit të naftëtarëve”, thuhet në reagimin e katër kompanive që merren me shitjen e arkave fiskale.