Në Kosovë ka një hile për të punësuar militantë partiakë nëpër institucione: “kontratat mni vepër” siç quhen, ku nga mungesa e akteve nënligjore, me ato abuzohet rëndshëm.
Janë sit ë thuash dyer pa kanatë që militantët të hyjnë e të gjejnë rrogën e dëshiruar në shtet, siç të gjithë militantët e kanë synim.
Vetëm gjatë vitit 2015-2016, numri tyre në administratë arriti në 2,318.
Kjo mënyrë e të punësuarit ka përplasur shpeshherë dhe partitë mes vete. Përshembull, aq shumë e ka aplikuar Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti, sa është akuzuar nga kryeministri Haradinaj e kryekuvendari Veseli për punësim të qindra aktivistëve të VV-së, tashmë ish-parti e Ahmetit.
Ndërkohë, ky lloj punësimi ka qenë një ndër vërejtjet kryesore që Auditi i Përgjithshëm ka dhënë viteve të fundit për institucionet qendrore dhe lokale.
“Dëmi i dyfishtë”
Shoqëria civile thotë se në mungesë të bazës ligjore për mënyrën e rekrutimit të këtyre personave, institucionet po i mbajnë ata me vite në punë, e jo vetëm gjashtë muaj sic e parasheh ligji.
Fidan Kalaja nga Qendra “Kund 16”, thotë se qëllimi ligjor i paparaparë për punësimet me “kontratë mbi vepër” ka qenë që për çështje specifike profesionale kur një institucion nuk ka kapacitete të mjaftueshme humane të angazhojë ekspert të asaj çështje për një periudhë afatshkurta (gjashtë muaj maksimalisht) derisa institucioni të zgjidh probleme specifike.
“Në aspektin ligjor nuk zbrastësi mirëpo në këto raste kemi manipulime dhe keqpërdorime na ana e institucioneve publike sa i përket angazhimit të stafit me kontratë mbi vepër. Kjo do thotë që dëmi është i dyfishtë ku administrata mbi-popullohet me militantë politik dhe e dyta është që këta militantë nuk angazhohen dhe nuk kanë kapacitete profesionale për ofrimin e shërbimeve që institucionet kanë nevojë. Njëra nga të gjeturat pothuajse në të gjitha institucionet publike në raportet e Auditorit Gjeneral për secilin vit është numri në rritje i të punësuarve me kontratë mbi vepër dhe veprimet zero të institucioneve për të adresuar rekomandimet e Auditit”, thotë Kalaja për tesheshi.com.
Ai thotë se në këtë rast në rrethana normale ky problem do të zgjidhej shumë lehtë dhe thjesht nga organi ligjvënës.
“Kuvendi i Kosovës do duhej që të marrë përgjegjësitë që ka dhe në rastet ose institucionet ku identifikohet që ka numër enorm të të punësuarve me kontratë mbi vepër të vendoset kriter, zvogëlimi i buxhetit vjetor për atë institucion, sidomos për kategorinë e pagave, mallrave dhe shërbimeve. Mirëpo fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës as nuk ka vullnet politik e as kapacitete profesionale që të merret me çështje që ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen e integritetit dhe profesionalizimit të institucioneve e as për parandalimin e minimizimin e keqpërdorimit të parasë publike”, thotë Kalaja.
Rasim Alija, hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se mungon vullneti politik për të ndërprerë praktikat e tilla të mbushjes së administratës publike me militantë partiakë.
“Ky vullnet politik mungon tani, e do të mungojë edhe me tutje. Subjektet politike e shohin mbushjen e administratës si shpërblim për anëtaret e tyre. Duke e bërë këtë subjektet politike mbajnë strukturat e tyre dhe u ofrojnë modelin e shpërblimit me poste në administratë dhe pozita tjera si joshje për tu bërë pjesë e partisë. Kjo ka qenë në vazhdimësi strategji e subjekteve politike në Kosovë, vetëm kështu arrijnë ta mbajnë elektoratin, në mungesë të programeve që kanë përmbajtje dhe ofrojnë modele të zhvillimit”, thotë Alija për tesheshi.com. /tesheshi