Nga Bujar M. HOXHA: Ç’ka mbetur më për të provuar kundër Erdoganit?

Puçistët janë me gisht në gojë, puçistët janë me pranga në duar. Pamjet e tyre me duart lart ndërsa dorëzohen janë skenat e fundit të një përpjekjeje të gjatë për ta rrëzuar e eliminuar Rexhep Tajjip Erdoganin.

Kjo farë e keqe që s’po i hiqet Turqisë ka dështuar për të disatën herë t’i bëjë gropën Erdoganit, duke i bërë në vend të kësaj gropën vetes.

Grushti i shtetit në Turqi ishte i paralajmëruar; se kur do të ndodhte nuk dihej, veçse pashmangshmëria e tij ishte e padiskutueshme. Pse? Sepse ishte provuar gjithçka. Nga njerëz që pretendonin e pretendojnë t’i përmbahen parimit fetar nuk u la gjë pa bërë kundër tij. Shantazhe, mashtrime, spiunime, gënjeshtra, sajime provash e faktesh, vendosje çimkash, arrestime… Gjithçka që përmban ligësia njerëzore qe hasur në papërmbajtjen për ta rrëzuar Erdoganin.

I përmendën fëmijët, shpifën për ta, për gruan e tij, për gjithçka ishte e është e shtrenjtë për të. E quajtën dhe e quajnë islamist, autoritar, diktator, të korruptuar, armik të shtypit, armik të lirive, armik të Turqisë!

Nuk lanë gjë pa thënë e pa bërë ata që fytyrën e kanë pa gjak, që shpirtin e kanë pa ndjenja, që karakterin e kanë pa shtyllë kurrizore, që zvarritjen e kanë si të zvarranikut…

Me buzëqeshjen e gënjeshtërt para, e me thikën e fshehur prapa…

Llumi doli në sipërfaqe e hoqi maskën. Organizoi protesta të pakuptimta e të mirëfinancuara, arrestoi me pushtete paralele e i tundi grushtin para fytyrës Erdoganit. Vuri në punë një makineri të tërë mashtrimi e denigrimi, gjersa e humbi toruan.

U provuan shpërthimet e njëpasnjëshme, nxjerrja jashtë shinave e ekonomisë, e sigurisë dhe rendit. Me të vetmin qëllim: rrëzimin e njeriut që halë në sy e kanë!

Gjetën dhe blenë dhe të pamoralshëm jashtë vendit, financuan gazeta, televizione e gjithçka tjetër mediatike. Me të vetmin synim: errësimin e realitetit të Turqisë, errësimin e figurës së Rexhep Tajjip Erdoganit!

Endrra e atyre që e varën në litar Adnan Menderesin është marrë tani hua nga ata, besëprerët. Ta shohin në litar Erdoganin, tjetër gjë nuk duan! Ta shohin Turqinë të gremiset në honet e së shkuarës, të rreckosur e të baltosur, tjetër gjë nuk duan!

U përhapën si metastaza dhe ndër ne, gojëmbël e vështrimulur, të pazëshëm drejt misionit të tyre final. Lavatriçja e tyre nuk ndalet, ajo bluan pandërprerë.

Mjafton të shihje raportimet e mbrëmshme mediatike në të zvetënuarat mjetet tona informative. Gënjeshtra pa fund, fakte të shtrembëruara, këndvështrime të turpshme, që vetëm i paturpi arrin t’i artikulojë.

E tëra në shërbim të një funksioni: ta kthejnë Turqinë andej nga erdhi, ta zhysin përsëri në borxhe, ta bëjnë përsëri ta shtrijë dorën e ta nxijë faqen! Për ta hequr qafe atë, kokëshkretin, falë të cilit Turqia ndryshoi pamje brenda pak më tepër se një dekade.

Ata nuk e duan pushtetin. Po, po, nuk e duan atë pushtet ashtu siç e njohim ne, por duan atë të nëndheshmin, për të shantazhuar, për t’i vënë këmbën në fyt armikut të përkëdhelur si mik.

Por mbrëmë dështuan! Dështuan me turp!

Fundi është pranë… I Erdoganit? Jo! I Turqisë? Jo!

Çfarë ka mbetur më për të provuar?

Hiqni dorë, hiqni dorë, se pastaj do të pendohi! /tesheshi.com/

Artikulli paraprakDiplomati shqiptar në Stamboll, Agron Tare: Analistët injorantë, deformuan lajmet për puçin në Turqi
Artikulli vijuesJa nga kush i merni lajmet çdo ditë!