Një banor i New Yorkut është arrestuar dhe është akuzuar në lidhje me vrasjen e një imami dhe ndihmësi të tij më 14 gusht.
Oscar Morel, 35 vjeçar, banor i lagjes Brooklyn, është akuzuar më 15 gusht më dy pika të akuzës, atë për vrasje të shkallës së dytë dhe posedim të paligjshëm të armës, shkruan REL.
Policia nuk ka treguar për motivin e dyshuar të krimit apo të sqarojë nëse Morel ka pasur lidhje të mëhershme me viktimat.
Morel është arrestuar ditën e sulmit me dyshimin se është i përfshirë në një incident me armë zjarri në trafik.
Ai pritet të del para gjykatës sot gjatë ditës.
Të dy viktimat, imami Maulama Akonjee, 55 vjeçar, dhe Thara Uddin, 64 vjeçar, janë varrosur të hënën në prani të qindra pjesëmarrësve në funeral.
Vrasja që ka ndodhur në pikë të ditës ka tronditur komunitetin e shtetasve me origjinë nga Bangladeshi në New York.
Të dy viktimat janë vrarë në kokë duke u qëlluar nga prapa, pasi kanë marrë pjesë në lutjet në xhaminë Al Furqan në Queens.