Liderët e partive opozitare u janë kthyer takimeve të përbashkëta në kuadër të përgatitjeve për protestën e 17 shkurtit.Me gjithë reagimet që nxiti takimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me partitë në pushtet, opozita ka konfirmuar se janë të vendosur në kundërshtimin e përbashkët si asnjëherë më parë, shkruan “Koha Ditore”.
Selia e AAK-së ka qenë vendtakimi i Visar Ymerit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Për atë që u bisedua brenda ka njoftuar AAK-ja nëpërmjet një komunikate të shkurtër. Mediet nuk u ftuan ta përcjellin takimin.
“Kundërshtimi politik opozitar është i vendosur dhe do të vazhdojë të jetë më i fuqishëm se asnjëherë më parë, deri në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Protesta e 17 shkurtit do të jetë ndër protestat më të mëdha të organizuara deri më tash”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
Megjithatë brenda kampit opozitar vazhdon të komentohet pjesëmarrja e Haradinajt në takimin e Jahjagës, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi. Kreu i “Vetëvendosjes”, Ymeri, e ka vlerësuar të gabuar shkuarjen e Haradinajt në takimin e Jahjagës. Por, vetë Haradinaj nuk ka dashur shumë të merret me deklaratat e Ymerit, të cilat i ka quajtur të parëndësishme.