BDI është ende në pritje të ftesës së Gruevskit për të nisur bisedimet rreth formimit të qeverisë së re. Përfaqësuesit e partisë së Ali Ahmetit presin që negociatat të fillojnë deri në fund të javës.
Nga ana tjetër, kreu i VMRO-DPMNE-së i cili prej 9 ditësh ka marr mandatin nga presidenti ende zyrtarisht nuk ka ftuar për bisedime asnjë parti. Kjo vonesë ka shkaktuar panik të vërtetë brenda partisë së Ahmetit, e cila deklarohet si parti patriotike shqiptare, por që deri sa është në pushtet, projekte konkrete realizon kryesisht për maqedonasit, transmeton Gazeta Lajm.
“Realisht duhet të jetë e kundërta, respektivisht VMRO duhet të frikohet prej BDI-së, e jo BDI prej VMRO-së, sepse pa BDI-në VMRO nuk mund të bëjë shumicë parlamentare. Megjithatë porosia e Gruevskit “e din BDI-ja” ka shkaktuar shqetësim të madh brenda partisë sonë, duke filluar nga kryetari Ali Ahmeti”, thotë një burim brenda BDI-së, i cili shton se kjo porosi e Gruevskit ka shkaktuar edhe probleme shëndetësore te dy tre anëtarë të kryesisë partiake, të cilët kanë përfunduar me infuzione.
Sipas të gjitha gjasave, Gruevski do të presë momentin e fundit për të filluar bisedimet.
Nga selia blu sqarojnë se Ahmeti është duke zhvilluar konsulta të gjëra jo vetëm brenda partisë, por edhe me faktorin ndërkombëtar për nevojën e formimit të qeverisë sa më parë.
Nga kjo parti përsërisin se nuk heqin dorë nga kërkesa për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe zgjatjen e mandatit të prokurorisë special.
Për shkak të zvarritjes së fillimit të negociatave, analistët kanë filluar të flasin për një skenar të mundshëm nga dy ish partnerët për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Por, zyrtarisht dy partitë i demantojnë këto zëra. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të rrjedhin gjërat nëse Gruevski nuk arrin që në afatin ligjor të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend për qeverinë e re. Po ashtu nuk bëhet e ditur nëse presidenti do të mandatojë kreun e LSDM-së Zoran Zaev nëse kreu i VMRO-së nuk merret vesh me BDI-në për kabinetin e ri.
Alsat mëson se deri tani për të ndihmuar në procesin për formimin e qeverisë së re kanë shfaqur interes disa vende perëndimore. Në këtë kuadër ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte planifikuar gjatë kësaj jave të dërgojë në Shkup përfaqësuesin e saj special për Ballkanin Kristijan Helbah, por për arsye të panjohura deri tani vizita e tij është anuluar.
Nga ana tjetër, pas marrjes së mandatit nga Gruevski, partia e Zoran Zaevit deri tani është treguar shumë e heshtur dhe nuk ka folur rreth mundësisë së formimit të qeverisë bashkë me partitë shqiptare.