Papa Benedikti XVI jep dorëheqje

Papa Benedikti i 16-të do të lërë Papatin më 28 shkurt. Njoftimin e ka dhënë vetë Ati i Shenjtë, në latinisht.

Papa ka shpjeguar se prej disa kohësh kishte nisur të ndjente peshën e detyrës dhe pasi e kishte menduar gjerë e gjatë kishte marrë vendimin për të mirën e Kishës. “Fuqia dhe mosha e avancuar, nuk janë aq të volitshme për të ushtruar detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Papa Benedikti.”Të dashur vëllezër, ju falenderoj me zemër për të gjithë dashurinë dhe bashkëpunimin që më keni ofruar këto vite dhe kërkoj falje për të gjithë defektet e mia”, u shpreh Papa.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Vatikani, i cili siguron se vendi bosh do të qëndrojë i tillë për një kohë tepër të shkurtër.

Kjo është hera e parë që një papë jep dorëheqje në gati 600 vjet.

Deklarata e Vatikanit citon papën 85-vjeçar të ketë thënë se nuk ka më fuqi.

Duke folur para Këshillit të Kishës, Benedicti XVI ka thënë se duhet të pranojë “jozotësinë” e tij.

Joseph Ratzinger ka lindur në 16 prill të vitit 1927 dhe u zgjodh Papë nga konklava e zhvilluar në 19 prill të vitit 2005, fill pas vdekjes së Gjon Palit II.

“Një rrufe në qiell të hapur”, kështu u shpreh kardinali Angelo Sodano pas marrjes së lajmit. Rreth një orë pas dhënies së lajmit, drejtori i sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Federico Lombardi pranon se është i cuditur nga vendimi, por shton se fuqia e Papës muajt e fundit ka rënë dhe këtë e kanë vënë re edhe bashkëpunëtorët e tij.

Vëllai i Papës, Georg Ratzinger ka thënë për mediat gjermane se mjeku i Benediktit të 16-të i ka këshilluar Atit të Shenjtë që të mos bëjë udhëtime të gjata.

Lajmi i largimit të Papës, ka bërë në pak minuta xhiron e botës. Ka qenë agjencia e lajmeve ANSA që e dha e para lajmin, e ndjekur më pas nëpër botë nga Reuters, CNN, Al Arabiya, France Presse dhe britaniket Telegraph e BBC.

Artikulli paraprakTunizi: Partia laike do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës
Artikulli vijuesMali: Përleshje në qytetin e Gao-s