Parlamenti grek ka aprovuar me shumicë votash, 206 nga 230 deputetë të pranishëm, një projektligj që do të përshpejtojë ndërtimin e xhamisë së parë zyrtare në Athinë.
Ministri grek i Arsimit ka deklaruar se, ndërtimi i saj largon rrezikun e terrorizmit islamik dhe se Greqia nuk duhet të përsërisë gabimet që janë bërë në Francë dhe Belgjikë.
“Ekzistenca e xhamive joformale është një turp për vendin dhe për myslimanët. Është gjithashtu një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e të gjithëve. Xhamia në Athinë është vetëm hapi i parë. Ne jemi tashmë në zbatimin e hapit të dytë. Kemi dhënë tashmë lejen për 4 xhami, një nga të cilat është në Tebë”, tha Nikos Filis, ministër i Arsimit.
Por, kundër projektligjit ka votuar partia e koalicionit qeveritar “Grekët e Pavarur”, si dhe “Agimi i Artë”, deputetët e të cilit edhe njëherë kanë reaguar me fyerje të ashpra dhe ekstreme ndaj myslimanëve, duke iu referuar një sondazhi që, sipas tyre, 72 për qind e popullit grek është kundër ekzistencës së myslimanëve në Greqi, përcjell TCh.
“Agimi i Artë, besnik ndaj parimeve të tij dhe duke pasur në anën e tij shumicën dërrmuese të popullit grek, premton dhe do të përpiqet që kurrë dhe askund të mos ketë xhami në Athinë”, tha Nikolaos Michaloliakos, udhëheqës i “Agimit të Artë”.
Projektligji i hap rrugën zgjidhjes së çështjeve administrative, që kanë vonuar për gati 10 vite ndërtimin e një xhamie zyrtare në kryeqytetin grek, ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme.