Pas Çikagos, protesta dhe krizë politike në Maqedoni

Maqedonia pas humbjes së ftesës për anëtarësim në Samitin e Çikagos pritet të përfshihet nga protesta masive dhe krizë politike.

Kjo është paralajmëruar nga partitë e opozitës, të cilët tashmë kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski, se çfarë do të jetë oferta pas dështimit të radhës në Samitin e Aleancës në Çikago.

Blloku opozitar maqedonas i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate prej muajit të ardhshëm ka paralajmëruar protesta masive në mbarë vendin kundër izolimit, varfërisë dhe politikave dezintegruese të Qeverisë aktuale.

LSDM ka paralajmëruar se protestat do të mbahen në çdo qytet të vendit dhe pritet të jenë një sinjal i fuqishëm kundër Qeverisë dhe shkuarjen e mundshme të vendit në zgjedhjet të reja të parakohshme.

Nga ana tjetër, pas dështimit në Çikago reagimet e tyre i kanë shprehur edhe partitë shqiptare të opozitës. Partitë shqiptare paralajmërojnë krizë politike dhe shkuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kërkoi që menjëherë të mbahen zgjedhje të parakohshme.

“Kërkojmë nga Bashkësia ndërkombëtare të ndihmojnë që urgjentisht të hapet dialogu politik në mes katër forcave më të mëdha politike në vend. Kërkojmë që të thirret seancë urgjente e parlamentit lidhur me mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos, seancë kjo që do të rezultonte me shpërbërje të parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme si e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë e krijuar”, ka deklaruar nënkryetari i PDSH-së, Imer Aliu.

Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) kërkon shpërbërjen e kësaj qeverie dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale në mars të vitit 2013.

“Në një situatë të kësaj natyre, RDK afirmon idenë se përkundër përgjegjësisë konkrete që i takon qeverisë aktuale VMRO-BDI, duhet të arrihet një konsensus i gjerë politik në vend dhe të krijohet një qeveri teknike gjithëpërfshirëse për të dalë nga ky qorrsokak integrues dhe ekzistencial”, vlerëson RDK, duke theksuar se qeveria teknike do të ketë obligim që të arrijë kompromisin historik për çështjen e emrit të vendit dhe me pas së bashku me zgjedhjet lokale të organizojë edhe zgjedhjet parlamentare në mars –prill të vitit 2013.

Reagime të kësaj natyre kanë shprehur edhe partitë e tjera politike shqiptare. DR gjithashtu ka shprehur apelin për unitet mes partive shqiptare dhe dialog të shëndosh për një aleancë politike ndërshqiptare, dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, pas dështimit në planin e procesit evrointegrues. (INA/kohaislame

Artikulli paraprakLunaçek: Udhërrëfyesi brenda pak javësh
Artikulli vijuesEULEX-i konfirmon bastisjen për krim të organizuar