Përmendi emra të lartë të politikës dhe policisë

Radio Televizioni i Kosovës nuk ka transmetuar emisionin “Drejtësia në Kosovë” i cili është dashur të transmetohej sonte nga ora 21:00 me protagonist kryesor Enver Sekiraqën.

Sipas njoftimit të mëparshëm nga ekipi i këtij emisioni në një intervistë të xhiruar pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa rrëfen për të bëmat, problemet dhe atentatet ndaj tij.

“Po ashtu, Sekiraqa flet për qëndrimin e tij në Zonën Operative të Llapit, mbajtjen e tij në paraburgim në Llapashticë dhe Majac dhe arratisjen ditën kur ai mendonte se ishte planifikuar ekzekutimi i tij.

Sekiraqa tregon se çfarë lidhjeje ka pasur me politikën, policinë dhe VIP-at. Lidhjen e tij me vrasjen e policit Triumf Rizaj, incidentin në Swiss Casino, qëndrimin e tij në arrati dhe bashkëpunimin e tij me Zvonko Veselinoviqin.

Ai tregon edhe për komunikimin e tij me gjykatës e prokurorë vendas dhe porositë e tyre që Sekiraqa ta lëshonte Kosovën.Në emision gjithashtu trajtohen arsyet se pse Sekiraqa është dorëzuar në EULEX.” thuhej në njoftimin e emisionit.
Enver Sekiraqa në këtë intervistë përmend emra politikanësh dhe drejtuesish nga partitë kryesore në vend si dhe emra nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë pak minuta më parë Ekipi i këtij emisioni nëpërmjet Facebookut ka njoftuar se transmetimin e emisionit nuk e ka bërë televizioni publik dhe se ata nuk e dinë për arsyen.

“Ekipi i Drejtësia në Kosovë u kërkon ndjesë shikuesëve sepse RTK nuk e ka transmetuar emisionin e sontëm. Posa të marrim sqarim zyrtar nga menaxhmenti i RTK-së për ndalimin e transmetimit të emisionit të sontëm, do ta ndajmë me ju.” thuhet në lajmërimin në rrjetin social Facebook.kohaislame

Artikulli paraprakLARGIMET NUK NA SHQETËSOJNË
Artikulli vijuesMicrosoft-i përcakton çmimin e Windows 8