Nga Ergys Mërtiri*
Gjithkush e ka të qartë se zgjedhjet në Dibër ishin shumë më tepër se zgjedhje për një bashki. Siç është pohuar nga shumë aktorë të debatit publik, ato ishin një test për qeverisjen. Fitorja e mazhorancës, natyrisht do të trumbetohej si një aprovim popullor për punën e qeverisë, ndërsa humbja si ndëshkim për të. Në këto kushte, ato nuk u panë aspak si instrument për përmirësimin apo përkeqësimin e jetës së qytetarëve dibranë, por si alibi për retorikat që përplasen midis forcave në skenën politike shqiptare. Prej këtej mund ta themi pa mëdyshje se të dyja palët kishin gati qëndrimet që do të mbanin pas zgjedhjeve.
Në rast fitoreje, opozita do të thoshte se zgjedhjet treguan dështimin e qeverisë. Në rast humbjeje ajo natyrisht që do ta vinte gishtin te bandat që blejnë vota, miklojnë me privilegje apo dhe kërcënojnë njerëz të varur nga pushteti. Ndërkaq, për mazhorancën nuk mund të kishte dy skenarë. Duke qenë në pushtet ajo nuk mund të kishte asnjë justifikim për humbjen, ndaj natyrisht do të investohej të bënte gjithçka për të mos e lejuar këtë.
Kjo shpjegon edhe angazhimin e madh të qeverisë për t’i fituar me çdo kusht këto zgjedhje. Një pushtet i kalbur nga korrupsioni, paaftësia, dështimi dhe mpleksja me krimin, nuk mund t’ia lejojë vetes luksin të testohet e të vihet në dyshim prej një palë zgjedhjesh periferike pa rëndësi, të ardhura aksidentalisht për shkak të paaftësisë për t’u ruajtur të një funksionari manjak. Por duhet thënë se kjo ndeshje ishte si një film ku përfundimi dihet.
Përvoja, por dhe arsyeja, na thonë se zgjedhje të tilla të lokalizuara në një zonë të vetme, në mes të mandatit të një qeverie, nuk mund të fitohen nga opozita. Mbetej vetëm të shihnim mënyrën sesi ngjarja do të zhvillohej. Ndaj dhe skenari paszgjedhor ishte totalisht i parashikueshëm. Surprizues ishte vetëm numri i golave, i cili, shoqëruar edhe me një sërë skandalesh të publikuara në media mbi mënyrën sesi u zhvillua procesi, forcojnë më shumë bindjen se kjo fitore ishte një farsë.
Megjithatë qeveria është e detyruar ta heqë deri në fund vallen e saj. Për t’i shtuar dozën e besueshmërisë, mbështetur dhe nga mediat e saj, ajo është e detyruar të kalojë në kundërsulm duke ia faturuar rezultatin dobësisë së kundërshtarit. Një sërë aktorësh të debatit publik nuk ngurruan edhe këtë radhë ta përqendrojnë objektin e analizës tek opozita dhe paaftësia e saj për të fituar. Sipas tyre, kjo është një opozitë e rrënuar, që nuk krijon besim dhe prandaj është e destinuar të dështojë. Ata akuzojnë gjithashtu kryetarin Basha, se nuk gjen dot kurajën për të lexuar siç duhet mbi humbjen, e për më tepër, fyen popullin e Dibrës, pse nuk e votoi.
Ndonëse shumica e tyre nuk ofron asnjë analizë të qartë që arrin t’i shpjegojë siç duhet këto rezultate, ata i kërkojnë me ngulm opozitës të reflektojë! Siç është thënë edhe herë të tjera, në një kohë kur qeverisja është në një nivel të hatashëm dështimi, kur kultivimi i hashashit është bërë produkti bujqësor më masiv, kur ekonomia asfiksohet deri në rrënim, kur nepotizmi dhe monopolet e pushtetit sundojnë kudo, ku korrupsioni është reforma më efikase që funksionon në çdo sektor, e ku arroganca shtetërore tregon dhëmbët mbi të dobëtit duke fshikulluar egërsisht çdo të vobektë që mundohet të mbajë frymën gjallë nëpërmjet ndonjë aktiviteti ambulant, ndërsa emigracioni rritet si epidemi e skandalet mbushin çdo ditë ekranet me gjithë filtrin e tmerrshëm korruptiv, nëpërmjet të cilit qeveria censuron median… forca elektorale e qeverisë rritet.
Kjo natyrisht që shfuqizon çdo analizë politike, dhe kërkon trajtimin e fenomenit duke marrë në referencë fusha të tjera studimore, që lidhen me efektet e kriminalitetit në politikë. Në një fushë ku beteja bëhet me mjete të ndryshme, kur njëra palë ka në duar mjete jopolitike, madje edhe përtej pushtetit, nuk ka kuptim të diskutosh për rezultatin. Kritikat vuajnë nga një premisë totalisht e turbullt.
Kur flitet për opozitën që do të donim, askush nuk tregon se cilës vlerë i referohemi: Duam një opozitë që të qëndrojë me stoicizëm ndaj parimeve morale apo një opozitë pragmatiste që di t’i ujdisë punët në atë mënyrë që të fitojë? Realiteti po na tregon rregullisht një situatë paradoksale, ku ai që fiton nuk është aspak stoik ndaj ndonjë parimi moral, apo ndonjë vizioni të zhvilluar, a programi të qartë qeverisës. Me gjithë këto zullume, populli duhet ta kish marrë me shqelma këtë qeveri. Pra, del se në zgjedhje nuk fitojnë gjithmonë të virtytshmit, por ata që dinë të bindin njerëzit.
Thënë ndryshe, zgjedhjet i fitojnë ata që dinë të gënjejnë, ata që dinë të përdorin mirë mediat, pushtetin, ndikimet, për ta kuruar imazhin e tyre, sado përtokë qoftë. Pyetja shtrohet: nëse referencë mbi vlerën e një force politike është suksesi moral, jemi duke e kritikuar opozitën pse nuk di të mashtrojë siç duhet apo pse nuk ka aftësinë të konkurrojë pushtetin në korruptueshmërinë ndaj mediave për ta përmirësuar siç duhet imazhin e saj? Në fakt, do të kishte kuptim të kërkonim prej kësaj opozite më shumë kredibilitet moral, por natyrisht, shumica e antiopozitaristëve nuk e bëjnë këtë, sepse përballë një pushteti të krimbur në vese e zullume, kjo kritikë nuk funksionon.
Për këtë arsye, debati kalon nëpër diskutime të kota teknike mbi “artin e të bërit opozitë”, ku ekspertët e opozitarizmit shpalosin idetë e tyre, njësoj si gazetarët sportivë që na tregojnë skemat e duhura sesi mund të rrihet Franca. Në fakt, të kritikosh një skuadër për humbjen, post factum, është gjëja më e lehtë, por kokëfortësia e faktit që vetëm ripohohet, nuk përbën aspak një predispozitë të mirë për ta zbardhur e shpjeguar atë. E vërteta është se, sado e dobët të jetë opozita, kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të shpjeguar rezultatet në zgjedhje në kushtet e kësaj lloj qeverisjeje që shohim. Mbi të gjitha, ideja se populli nuk ka faj, është një aksiomë që nuk bind. Nëse ky popull ka 25 vjet që gënjehet e poshtërohet nga kjo politikë, kush tjetër përveç tij e ka fajin?
Megjithatë, çështja nuk mund të mbesë te populli, ashtu si as tek opozita. Ky është problem i mbarë shoqërisë, duke përfshirë këtu të gjithë aktorët, organizmat dhe institucionet e saj. Nëse kjo shoqëri nuk ka aftësinë të ngrihet mbi këtë naivitet dhe të gjejë kurajën për të ndëshkuar ata që e marrin nëpër këmbë, sigurisht që është një shoqëri e sëmurë dhe këtë nuk mund ta shpëtojë asnjë lloj opozite.
Për këtë arsye, sukseset e kësaj qeverie, më shumë sesa dështim i opozitës, janë dështim i një shoqërie që pranon të shkelet me këmbë.
*pedagog i sociologjisë