Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në kuadër të vizitës shtetërore në Jordani u prit sot me një ceremoni zyrtare nga Mbreti Abudllah II. Nishani zhvilloi një takim të veçantë kokë më kokë me Mbretin jordanez dhe më pas, krerët e të dy vendeve drejtuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve, raporton AA.
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, theksohet se Presidenti Nishani shprehu vlerësimin pozitiv për vullnetin e përbashkët për të intensifikuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve në vitet e fundit.
“Duke iu referuar edhe vizitës së Mbretit të Jordanisë një vit më parë në Shqipëri, Presidenti Nishani, theksoi se shkëmbimi i vizitave në këto nivele jo vetëm që shpreh dëshirën dhe vullnetin politik për t’i forcuar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, por ka ndikuar ndjeshëm në nxitjen e institucioneve të të dy vendeve për të vlerësuar dhe eksploruar më mirë mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorë të veçantë të ekonomisë dhe të sistemit shëndetësor. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve po mbyllin dekadën e tretë të lidhjes së tyre, por intensifikimi i shkëmbimit të vizitave në nivele të larta politike gjatë viteve të fundit po ndikon ndjeshëm në forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy popujve”, u shpreh Presidenti Nishani, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë theksohet ndër të tjera se të dy krerët e shteteve ranë dakord për të inkurajuar strukturat qeveritare, por edhe ato parlamentare për të eksploruar sa më mirë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vijuar me ide e projekte konkrete.
“Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për interesin e treguar nga Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në këto momente kur rajoni dhe Evropa janë të kërcënuara nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Kreu i Shtetit shqiptar falënderoi Mbretin e Jordanisë për mbështetjen e dhënë për pavarësinë e Kosovës, si përmes njohjes direkte në vitin 2009 si vendi i parë i Lindjes së Mesme që ndërmori këtë akt, ashtu edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, duke theksuar se faktet sot tregojnë qartë se, Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore, por jo vetëm”, theksohet në njoftim.
Mes Nishnait dhe Mbretit Abudllah II u bisedua edhe për çështjet e ndryshme të sigurisë dhe të bashkëpunimit, ku ndër të tjera u vlerësua bashkëpunimi mes institucioneve të specializuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Presidenti Nishani ka realizuar një takim edhe me Kryeministrinë Jordanisë, Hani Al Mulki, si dhe me Presidentin e Senatit, Al Fayez.