Hashim Thaçi po e përgatit terrenin për të mos e përjetuar fatin e njëjtë me Fatmir Sejdiun, që pesë vjet pas përfundimit të mandatit si kryetar shteti, t’i lirojë zyrat dhe ta pushoi nga puna stafin mbështetës të tij.
Qeveria tashmë është përkujdesur që të bëjë ndërhyrje në Ligjin për Presidentin, në mënyrë që benificionet për të parin e shtetit të mos kufizohen, por të jenë të përjetshme, shkruan AktivPress.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin është dërguar në Kuvend në fillim të muajit tetor, dhe i njëjti dokument, u është shpërndarë deputetëve tri ditë pas pranimit.
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, pa kurrfarë pengese i ka dhënë dritën e gjelbër për shqyrtim të parë në seancë plenare, duke vlerësuar se projektligji i plotëson kriteret për t’u proceduar tutje.
Në fakt, deputetët e kanë pasur vetëm një nen për ta shqyrtuar. Në të shprehimisht thuhet: Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të ligjit bazik, ka të drejtë pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona”. Ndërkaq me ligjin në fuqi, definohet që presidenti ka të drejtë që këto benificione t’i shfrytëzoj jo më gjatë se pesë vjet pas përfundimit të mandatit.
Në memorandumin shpjegues që u është përcjellë deputetëve, e të cilin e disponon AktivPress, thuhet qartazi se qëllimi i ndryshimit te Ligjit në fuqi është që “Presidentit t’i jepet mundësia dhe t’i krijohen kushtet që edhe pas periudhës pesë vjeçare pas mbarimit të mandatit, ai të mund të punoj normalisht dhe ta jap kontributin e tij duke u mbështetur nga stafi mbështetës”.
Ndër tjera, në memorandum shpjegohen edhe objektivat që pretendohen të arrihen me anë të ndryshimit të ligjit në fuqi. Aty përmendet diskriminimi i kreut të shtetit.
”Objektivat të cilat synohen të arrihen me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/l-094për Presidentin e Republikës së Kosovës është krijimi i një legjislacioni të barabartë, jo diskriminues sa i përket përfitimeve të Presidentit dhe ish Zyrtarëve të Lartë duke pasur parasysh që Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, thuhet në memorandum.
Në fakt, presidenti edhe është i diskriminuar në raport me zyrtarët e lartë të shtetit të cilët nuk kanë kufizime kohore të përfitimeve nga shteti.
Duke qenë kështu, Qeveria e kaluar kishte përgatitur Projektligjin për përfitimet e zyrtarëve të lartë, me idenë që t’ua kufizoj në maksimum kohëzgjatjen e përfitimeve funksionarëve të lartë. Praktikisht, parashihej që kompensimi të mos zgjaste më shumë se një vit pas përfundimit të mandatit, për sa kohë që niveli i pagës së tyre të ishte 70% e pagës bazë të fundit të cilën e ka marr funksionari.
Me Projektligjin për paga ishte përcaktuar që e drejta në kompensim të pagës të zbatohet vetëm nëse funksionari publik ka ushtruar së paku gjysmën e mandatit të tyre të rregullt.
Në atë dokument prekej edhe paga e presidentit. Sikur të miratohej ai dokument në Kuvend, atëherë paga e kreut të shtetit do të ishte për 200 euro më e vogël. Nga 2800 euro sa i merr aktualisht, do t’i merrte 2600 euro. Kjo pagë, ashtu sic parashihet me ligj, do të ishte paga më e lartë që paguhet nga buxheti i shtetit.
Në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin është dhënë edhe deklarata financiare. Sipas parallogaritjeve të Departamentit për Buxhet në Ministrinë e Financave, ky projektligj shkakton një kosto shtesë buxhetore prej 81.543 euro për periudhën 20170 2020, ndonëse në këtë shumë hyjnë projeksionet buxhetore për rritjen e stafit prej tre punëtorësh.
Pavarësisht përmbajtjes dhe kostos, ky projektligj është vlerësuar të jetë në përputhje me direktivat e BE-së nga ana e Ministrisë së Integrimeve.
Deputetët, pritet ta japin fjalën e tyre për këtë dokument në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës./AktivPress