Privilegjet “bllokuese”, shteti jofunksional

Opozita nuk është mjaftuar vetëm me largimin e ministrit serb, Aleksandar Jablanoviq, nga Qeveria e Kosovës. Ata kërkojnë që krejt Lista Serbe të përjashtohet nga Ekzekutivi dhe ministra të emërohen serbët që janë luajalë ndaj shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, partneri i koalicionit në qeverisje, Lëvizja për Bashkim, ka kërkuar edhe ndryshimin e Kushtetutës për t’ia hequr privilegjet komunitetit serb, shkruan “Koha Ditore”.

 

Por, ekspertë juridikë thonë se kjo është e pamundur, pasi për çdo ndryshim kushtetues, nevojiten edhe dy të tretat e komunitetit pakicë.

 

Vjosa Osmani që është deputete e LDK-së ka sqaruar se në cilat rrethana mund të ndryshohet Kushtetuta. Sipas saj, e vetmja mundësi e ndryshimit të Kushtetutës, tani për tani, është nëpërmjet amendamentimit të saj. Por, kjo nuk mund të bëhet pa dy të tretat e minoriteteve.

 

Për qëndrimin e Lëvizjes për Bashkim gazeta nuk ka arritur të marrë një përgjigje prej zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashi. Për kërkesën e partnerit të koalicionit nuk kanë dashur të komentojnë as nga Partia Demokratike e Kosovës.

 

Madje sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati, ka dhënë sugjerime të tjera, kur është pyetur për këtë çështje. “S’po keni me çka m’u marrë tjetër, a?” ka thënë ai.

Artikulli paraprakKuvendi voton sot Projektrezolutën për pengimin e migrimit ilegal
Artikulli vijuesKëmbim i përvojave për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik