Qëndrimi ulur, rrezik për shëndetin

Të jesh i ulur përpara televizorit, duke ndërruar kanalet me telekomandë mund të duket si një aktivitet çlodhës dhe aspak i dëmshëm për shëndetin. Por një grup shkencëtarësh amerikanë kanë zbuluar se të rrish ulur përballë televizorit për orë të tëra mund të shtojë rrezikun e goditjeve në zemër me 80%, dhe ndikon në mënyrat se si trupi reagon ndaj glukozës, yndyrave dhe kolesterolit.

Të rrezikuar janë dhe punonjësit e zyrave që për orë të tëra qëndrojnë në të njëjtin pozicion në tavolinat e punës ose përpara kompjuterëve.

Sipas profesorit Mark Hamilton, qëndrimi për një kohë të gjatë ulur ndikon edhe tek ata njerëz që merren me gjimnastikë ose që kanë nivele të ulëta të yndyrës. Ai u rekomandon njerëzve që të rrinë në këmbë ose të ecin. Sipas studimit të tij, edhe një orë ulur përpara kompjuterit të zyrës, apo përpara ekranit të televizorit, mund të ndikojë negativisht në shëndetin tonë.

Sipas Fondacionit Kombëtar të Zemrës në Australi, ku u publikua ky studim, kujdesi për të mos qëndruar ulur për një kohë të gjatë duhet të nisë në një moshë më të hershme. Sipas këtij fondacioni mësuesit duhet të inkurajojnë nxënësit nëpër klasa që të lëvizin, për të evituar ndikimet negative të qëndrimit ulur për një kohë të gjatë./voa/

Artikulli paraprakIzraeli hapi ambasadën në Tiranë
Artikulli vijuesDuhani dëmton edhe foshnjën në barkun e nënës