Ramadani: 500 fermerë gjilanas përfituan grante nga Komuna

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Komunës së Gjilanit, ka bërë të ditur përmes një komunikate se përmes projekteve të ndryshme investive në kultura të ndryshme bujqësore, dhe sipas përllogaritjeve të stafit të kësaj drejtorie, janë punësuar nga 100-120 punëtor në pronat e tyre me këtë mbështetje të dhënë.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, në një konferencë me gazetarë, ka thënë se objektivat e punës së planifikuar për këtë periudhë janë arritur plotësisht dhe përfituesit më të mëdhenj janë fermerët e vyeshëm të Gjilanit, që numri i tyre për këtë tremujor është mbi 503, me mbi 100 mijë euro investime, transmeton Koha.net.

“Planifikimi i punës vjetore të kësaj drejtorie është arritur plotësisht deri në këtë fazë dhe falë mbështetjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe donatorëve e partnerëve tanë dhe të bujqësisë së Gjilanit”, ka thënë Ramadani.

Ai tha se gjatë ditës së djeshme është realizuar projekti i bashkëpunimit me agjencionin turk TIKA, nga i cili projekt kanë përfituar 40 bujq me mekanizim bujqësor në një vlerë financiare prej 30 mijë euro, gjithashtu, janë realizuar edhe disa projekte me shumë rëndësi për zhvillimin agrar.

“Me donatorin dhe partnerin tonë të TIKA, kemi arritur që bujqve të Gjilanit t’u sjellim donacionin nga i cili kanë përfituar 40 fermerë me mekanizim bujqësor. Gjithashtu, kemi publikuar listën e përfituesve për konstruksione të serrave, ku përfitues kemi 20 fermerë në një vlerë prej 23 mijë e 400 euro”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se gjatë muajit shkurt fermerët janë njoftuar për skemën e subvencioneve dhe granteve të MBPZHR dhe nga zyrat e kësaj Drejtorie, kanë marrë asistencë për konkurrim në këto grante.

“Kemi ofruar asistencë për aplikimin dhe informimin e fermerëve për subvencionet që ka ndarë MBPZHR, por gjithashtu kemi ndihmuar ata edhe për plotësimin e aplikacioneve edhe për mini-grante që ndanë organizata HELP”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan.

Në konferencën e sotme, Ramadani ka përmendur edhe projektin e subvencionimit të mjedrës, i cili është i pari në historinë e Gjilanit të pasluftës.

“Pas shqyrtimit të aplikacioneve të fermerëve, kemi përzgjedhur 39 përfitues me siperfaqe prej 10 hektarë. Implementimi i fazës së parë të këtij projekti ka filluar javë më parë. Faza e dytë do të realizohet në vjeshtë dhe vlera e këtij investimi është 60 mijë euro. Vlerësojmë se me këtë investim sigurohen minimum 100 deri 120 vende të reja të punës”, ka thënë Ramadani.

Po ashtu, i pari i bujqësisë në Gjilan tha se 406 fermerë kanë përfituar nga suvencionet për mbjellje pranveror, i cili kap shumën e 13 mijë e 800 euro, e ku përfshihen 320 hektarë.

Përpos këtyre projekteve, në proces të implementimit është edhe projekti i centrifugave elektrike për nxjerrjen e mjaltit, pajisja e blegtorëve me makina mjelëse lëvizëse dhe shtrimi i rrugëve të arave.

Ndërkaq, në sektorin e pylltarisë, Ramadani është shprehur se është punuar me intensitet dhe vigjilencë.

“Gjatë kësaj periudhe kemi ngritur 85 fletëparaqitje, prej të cilave, 68 për kundërvajtje, 10 janë dërguar në gjykatë dhe shtatë për transport. Në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Pylltarisë, kemi planifikuar që të bëjmë rrallimin e 20 hektarëve, dhjetë në majën e gjelbërt dhe dhjetë hektarë në pjesën e Karadakut”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakMustafa i bindur se Kosova po bën progres në zhvillimin ekonomik
Artikulli vijuesParalajmërohen aksione kundër uzurpatorëve edhe në veri të Kosovës