Interesimi amerikan për të investuar në Kosovë është shtuar. Por, autoritetet e Kosovës duhet të lobojnë më shumë për t’i bërë të njohura potencialet e tregut.
Interesimi i investitorëve amerikanë për të investuar në Kosovë, viteve të fundit, është shtuar, por autoritetet e Kosovës duhet të lobojnë më shumë te kompanitë amerikane për të njoftuar për potencialet e tregut të Kosovës, thonë përfaqësues të bizneseve.
Ndryshe, ditë më parë autoritetet vendore dhe Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, me kompaninë “Stone Alliance” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo kompani thuhet se do të investojë dhjetëra miliona dollarë në Kosovë dhe synon të krijojë deri në 3 mijë vende të reja të punës duke operuar me 40 gurëthyes dhe katër fabrika, si dhe duke u fokusuar në trajnimin e fuqisë punëtore.
Përveç kësaj kompanie, Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë, përmend edhe konsorciumin “Contour Global”, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ofertues i përzgjedhur për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe kompaninë “Envidity Energy Kosova” që ka aplikuar për marrjen e licencës për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.
“Janë sinjale të mira, finalizimi i të gjitha projekteve, të cilat i përmenda, do të përçonte një mesazh të rëndësishëm te kompanitë tjera amerikane, të cilat kanë hezituar në vitet e fundit, që ta shohin Kosovën si një treg të besueshëm dhe sigurt që ato mund të shtrijnë investimet e tyre”, thotë Zeka.
Gjatë këtij viti Kosova është pranuar në Programin Kompakt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).Koordinatori i kësaj Korporate, Petrit Selimi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në pesë vitet e ardhshme nga kjo korporatë pritet që të investohen miliona dollarë investime, në fusha kritike për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Pra, në energji, ujë, shërbime ambientale, në sundimin e ligjit, do derdhen mjete substanciale, që ata po i quajnë transformative, për të krijuar një ambient më të mirë dhe për të krijuar vende të reja të punës”, thotë Selimi.
Korporata e Sfidave të Mileniumit është një degë e Qeverisë amerikane që sjell investime. Kosova është shteti i parë i Ballkanit Perëndimor që është kualifikuar për kontratën kompakte, si niveli më i lartë i kontratës me Korporatën, e cila sjell miliona euro në fusha kritike për krijimin e vendeve të reja të punës.
Petrit Selimi thotë se në këtë drejtim janë duke punuar me intensitet të shtuar dhe pritet që në fillim të vitit 2018 të fillojë zbatimi në praktikë i projekteve.
“Ekipi i ekspertëve nga Uashingtoni, i cili do të vijë në Prishtinë për dy javë, gjatë vitit 2017, së bashku me ekspertët nga Kosova, do t’i identifikojnë projektet konkrete, në fusha si: energjia, uji, ambienti dhe ato do t’i shpalosin gjatë vitit të ardhshëm”.
“Pra, momentalisht janë në fazën e mbledhjeve e fakteve dhe statistikave. Dhe, vitin e ardhshëm do të identifikohen projektet konkrete se ku do të derdhet një shumë e madhe e mjeteve nga Qeveria e Amerikës”, shpjegon Selimi.
Pavarësisht kësaj, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, konsideron se autoritetet kompetente në Kosovë duhet të promovojnë potencialet e tregut të Kosovës. Ai thotë se gjatë takimeve me afaristë amerikanë, ka raste kur e njohin tregun e Kosovës.
“Në këtë aspekt besoj se jemi shumë mangët, për shkak të mosfunksionimit të diplomacisë ekonomike në ato vende ku ne kemi ambasada ose përfaqësi tjera diplomatike. Realisht, nuk kemi përfaqësues ekonomikë ose komercial dhe kjo na cenon shumë në aspektin e promovimit të potencialeve tona ekonomike në vende tjera”, thekson Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2015, thuhet se në Kosovë janë 20 biznese me pronarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse vlera e investimeve nga SHBA-ja në vendin tonë ka qenë 22. 5 milionë euro. / REL