SHBA qorton Berishën, nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin rishikimin e kufijve kombëtar në Ballkan. Çdo përpjekje për ta bërë këtë është jo produktive dhe destabilizuese”.

Ky është qëndrimi i Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili sipas mediave maqedonase vjen si reagim ndaj deklaratës së kryeministrti shqiptar, Sali Berisha për Shqipëri nga Preveza në Preshevë.

Kjo deklaratë shkaktoi tronditje tek fqinjët, ndërsa si pretekst presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ministri i punëve të jashtme i Greqisë, Dimitrisë Avramopulos e anuluan vizitën në Shqipëri.

Ndërkaq, sot ka pasuar edhe reagimi i presidentit shqiptar, Bujar Nishani i cili ka deklaruar se Shqipëria e vlerëson historinë e saj, por nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.

“Momente të festimit të përvjetorëve të ndryshëm që lidhen me pavarësinë janë pjesë e vlerësimit të historisë, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që Shqipëria kurrë nuk kanë pasur qëllime të këqija ndaj fqinjëve, për të rrëmbyer territore, tentativa për të goditur fqinjët”, tha ai.

Sipas Nishanit, sot më shumë se kurrë megjithëse të penalizuar nga historia, shqiptarët kanë promovuar parimet e bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka komentuar mosardhjen e homologut të tij maqedonas në manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Në rastin Ivanov, ftuesi kam qenë unë. Argumentet e tij ishin për shkak të incidenteve me Gruevskin, që ishin të izoluara dhe të dënueshme, e që nuk ndikojnë e përkrahen nga askush në Shqipëri”, është përgjigjur Nishani.

“Këto janë veprime jocivile, sidomos për traditën tonë të respektit të mikut’, ka shtuar ai. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakNjë hafiz Kurani, mjeku i parë stomatolog shqiptar
Artikulli vijuesTë martën, takimi i radhës Thaçi-Dacic