Presidenti Hashim Thaçi sot ka marrë pjesë në një ceremoni të organizuar për nder të 8-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës.
Thaçi gjatë fjalimit të tij u tregua i ashpër me politikën, ku theksoi se njerëz me aktakuza nuk do të ketë as në institucione e as në lista zgjedhore.
“Çështja e depolitizimit të institucioneve të jetë e përhershme dhe sa më pak njerëz politike të ketë në bordet e institucioneve të pavarura. Nuk besoj se mund të kemi lider a-politik nga aktiviteti ynë politik dhe shoqëror. Shumë nga njerëzit më të lartë të vendit janë në parti politike. Person me dosje kriminale e njerëz me aktakuza nuk do të ketë në institucione apo në agjenci, ashtu si po zbatohet tani. Edhe në listat e ardhshme zgjedhore nuk duhet te ketë vend për të njëjtit”, ka deklaruar Thaçi.
E, lidhur me këtë deklaratë të presidentit, sekretari i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo deklaratë e tij është ndërhyrje në kompetencat e institucioneve të tjera.
“Kjo deklaratë e Thaçit nuk mund ta vlerësohet ndryshe pos si ndërhyrje në kompetencat e institucioneve tjera. Kjo është ndërhyrja e parë dhe duke pasur parasysh historinë e tij nuk do të jetë e fundit sepse e tërë e kaluara e tij nuk është gjë tjetër pos ndërhyrje e vazhdueshme në kompetencat e institucioneve tjera të pavarura”, ka thënë Sherifi, për Telegrafin.
Ai më tej ka theksuar se në rast se i duken pak kompetencat që i jep Kushtetuta, atëherë Thaçi të jap dorëheqje.
“Le t’i shikojë punët dhe kompetencat që ia jap Kushtetuta. Nëse ato i duken pak, le të japë dorëheqje nga Presidenti dhe le të kthehet në politikat e përditshme, përkatësisht në krye të PDK-së”, ka thënë Sherifi./Telegrafi/.kohaislame