Një studim i ri konstaton se një proteinë e cila gjendet në qumështin e nënës – por jo në edhe qumështin artificial (formulë) – mund t’i mbrojë foshnjat nga një sëmundje potencialisht vdekjeprurëse.
Kjo u tha në bazë të rezultateve të një studimi të ri të kryer nga hulumtuesit nga Spitali i Fëmijëve në Los Angeles, Universiteti i Iowa dhe Northwestern University.
Sëmundja – enterokoliti nekrotizues – e cila kryesisht i prek të sapolindurit e parakohshëm – vret 30 për qind të të porsalindurve të infektuar.
Pjesa tjetër mund të ketë komplikime gjatë gjithë jetës, duke përfshirë mënjanimin e zorrëve ose ushqyerjen përmes rrugëve intravenoze.
Një nga faktorët e rrezikut është të ushqyerit përmes formulës.
Sipas studimit, proteina – e quajtur neuregulin-4 – mbron nga dëmtimi inflamator i zorrës.
Doktor Mark Frey, thekson: “Hulumtimi ynë tregon se pa proteinën NRG4 e cila gjendet në qumështin e nënës, një mekanizëm normal i mbrojtjes për zorrët e pazhvilluara mund të mungojë.”
Studimet shkencore botërore në dekadat e fundit pohojnë se qumështi i gjirit të nënës është i pazëvendësueshëm për fëmijën dhe u bëjnë thirrje nënave që doemos t’i ushqejnë fëmijët e tyre me këtë lloj qumështi dhe t’i shmangen çdo lloj ushqimi tjetër, kur është e mundshme. Kështu deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i gjatë vendimeve të tyre të përbashkëta në vitin 1989. Revista amerikane “Pediatric Clinic of North”, mars 2001, ndër të tjera porosit që “të ushqyerit me qumësht gjiri të jetë detyrimisht dy vite”.
Zëri i organizatave dhe i shoqatave të ndryshme shëndetësore për të drejtat e njeriut nuk rresht së thirruri që femrat t’i ushqejnë me qumësht gjiri fëmijët e tyre për vetë faktin se fëmijët që nga momenti i lindjes janë të rrezikuar nëse nuk ushqehen me qumësht gjiri, por rrezikut nuk i shmangen as femrat gjatë periudhës së lehonisë dhe jetës në vazhdimësi. Kjo iniciativë ka filluar shekullin e fundit, kurse feja islame prej 14 shekujsh bën thirrje që nënat në mënyrë të detyrueshme t’i ushqejnë fëmijët me gji që nga lindja deri në moshën dyvjeçare, madje edhe më tepër nëse e kërkon nevoja. Thotë Allahu në Kuran: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota.” (El Bekare, 233)/KohaIslame