Shkencëtarët britanikë: Automobilat që voziten vetë

Shkencëtarët britanikë nga universiteti Oxford janë duke zhvilluar sistemin i cili mund të drejtojë automobilin në mënyrë të pavarur duke shfrytëzuar të dhënat e marra nga skaneri laserik i vendosur në pjesën e përparme të automobilit.

Kur zbulon rrugën për të cilën ka të dhëna, automobili ia bën me dije ngasësit që mund t’ia besojë kontrollin për të drejtuar automobilin. Për dallim prej automobilit të Google i cili mbështetet në GPS dhe një varg senzorësh të vendosur në tavanin e automobilit, zgjidhja e shkencëtarëve britanikë mbështetet vetëm në hartat precize 3D të rrugëve, dhe nuk shfrytëzon GPS-në për navigim. Sistemi mbështetet në skanimin laserik 3D të rrethinës i cili ruhet në kompjuterin e automobilit, dhe më pas shfrytëzohet për navigim të pavarur. Zgjidhja e tillë është edhe shumë më precize se GPS, gjegjësisht saktësia e saj matet me centimetra, për dallim prej GPS ku kemi të bëjmë me metra.

Sistemi është testuar në automobilin elektrik Leaf të Nissanit, i cili është vozitur nëpër rrugët rreth Oxfordit me shpejtësi prej 65 kilometrash në orë. Shkencëtarët theksojnë që një prej qëllimeve të tyre është zhvillimi i zgjidhjes për drejtim të pavarur të automjeteve dhe robotëve në vendet ku nuk ka sinjal të sistemeve për navigim global, gjegjësisht në brendi të ndërtesave, në afërsi të objekteve të jashtme të cilat pengojnë sinjalin GPS, nën ujë, nën tokë, si dhe në vendet tjera siç janë planetët tjerë.

I tërë sistemi i cili është vendosur në këtë automobil kushton rreth 5.000 funte, që është jashtëzakonisht i lirë për një projekt të tillë hulumtues. Shkencëtarët po ashtu theksojnë që besojnë që automobilat e tillë që mund të drejtohen vetë do të mund të jenë në përdorim të gjerë për rreth 15 vjet, ndërsa çmimi i sistemit për drejtim të pavarur të automobilit do të mund të binte në vetëm 100 funte. /koha/kohaislame

Artikulli paraprakTastet e ndryshueshme në tastierën e Apple
Artikulli vijuesKosovë, arrestohen dy të dyshuar për rastin "Monstra"