Në Shkup për herë të parë u mbajt gara për fëmijët me sindromën Daun. Organizatorët e kësaj gare thonë se qëllimi i kësaj ngjarje sportive është ngritja e vetëdijes për personat që janë me sindromën Daun si dhe përfshirja e tyre e barabartë në aktivitete sportive. Për të qenë pjesëmarrës i garës secili person duhej të bëjë një donacion 150 denarësh (2.5 euro) ndërsa për vet personat me sindromën në fjalë, pjesëmarrja ishte falas.
“Mjetet e grumbulluara nga gara do të shfrytëzohen për trajnim njëvjeçar të fëmijëve, marrjen me qira të një salle, sigurimin rekuizitave, sigurim të personave kompetent që do të punojnë me ta dhe organizimin e seminarve për fëmijët dhe prindërit e tyre. Këtë vit është për herë të parë por të shpresojmë se do të shndërrohet në traditë dhe në të ardhmen do të organizojmë për çdo vit”, ka deklaruar Biljana Kuzmanovska, organizatore e garës.
Ajo me keqardhje konstatoi se në Maqedoni nuk ka regjistër të saktë për numrin e fëmijëve të prekur nga ky sindrom.
Të gjithë fëmijët me sindromën Daun pas garës u shpërblyen me nga një medalje dhe dhurata të ndryshme, ndërsa për pjesëmarrësit e tjerë, shpërblimet u dhanë duke aplikuar modelin e lotarisë.
Përveç garës së vrapimit, organizatori u përkujdes që fëmijët të garojnë edhe në basketboll, futboll dhe skermë.