Nga Mentor Kikia
Shqipëria dhe Kosova, u “gjendën” në mënyrë të pajustifikuar në qendër të një polemike të ashpër politike e mediatike, sa të dukej një përplasje në miniaturë mes dy Koreve.
Në fakt, e gjitha nisi nga një vizitë e kryeministrit Rama në Beograd, vizita e radhës, dhe shfaqja televizive që ata, pra Edi dhe Aleksandri, dhanë për opinionin publik. Është i justifikuar reagimi i Kosovës, politikisht apo edhe mediatikisht, kur vjen fjala për Serbinë, pasi atje plagët e krimeve serbe(për të cilat nuk është kërkuar as ndjesë) nuk janë mbyllur dhe lotët nuk janë tharë ende.
Por unë nuk mendoj se jemi para një tradhtie kombëtare nga ana e kryeministrit të Shqipërisë që të justifikohet i gjithë ky reagim. Aq më shumë deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, që ishte nxituar të shkruante sikur t’i drejtohej ndonjë shteti me të cilin është në gjendje lufte për ndonjë pjesë të kufirit.
Më e shumta, mendoj se jemi në kushtet e një deliri që ka kapur Ramën, i cili tani për tani po mendon si lider i rajonit, ndërsa më vonë, pse jo edhe më gjerë. Shqiptarët dhe serbët kanë qenë historikisht armiq dhe aktorë të tragjedive më të mëdha që kanë ndodhur në këtë rajon, ndaj dhe pajtimi mes tyre është një lajm i madh ne Bruksel dhe Uashington.
Kështu që Edi dhe Aleksandri, që komplimentohen mes tyre sa herë takohen më shumë se gratë që kanë humbur disa kilogram në peshë, mund të shikohen si djemtë e mirë të “Ballkanit të përgjakshëm”, të cilët edhe në mos pajtofshin gjë, të paktën nuk po u fryjnë urëve të zjarrit. Dhe kjo është e vërtetë. Këto takime kanë zbehur simbolin e urrejtjes që përmblidhte vetëm fjala “serb”.
Por Kosova ka të drejtë të pretendojnë se, nëse po punohet për një “strategji historike paqeje’, në krye të tryezës duhet të jetë ajo, sepse ajo është viktima e drejtpërdrejtë. Rama, në fakt, mund ta kishte kursyer “nobelistin e shquar Ivo Andriç”, sepse edhe pa të show do të kishte qenë sërish i arrirë.
Por ai nuk lajthiti, ai po ecën me hapa më të shpejtë, duke e “përqafuar armikun”. Sepse “përqafimi i armikut” pas betejës, është një film shumë i preferuar në Perëndim. Por, meqë këtë nuk e bën dot një shqiptar Kosove, i “plagosur” dhe mbushur me urrejtje, e bën një shqiptar Shqipërie, i pa plagosur dhe aq “mëndje hapur sa të mendojë përtej urrejtjes”.
Ndërkohë që ka edhe aludime se Edi dhe Aleksandri po ëndërrojnë të jenë nobelistët e paqes për këtë që po bëjnë, pra që takohen, buzëqeshin dhe përqafohen duke mos qenë dakord për atë që do të ishte paqja e vërtetë, Kosova. Por filmi është i bukur gjithsesi. Të mos çuditemi, edhe nëse kjo ndodh apo thjeshtë ëndërrohet.
Nuk ka rëndësi sa reale është paqja, pasi në fund të fundit me “Nobelin e paqes” është bërë shumë herë politikë dhe ai më së shumti nuk ka shkuar atje ku është bërë paqja, por atje ku ajo duhet bërë. Edhe Henry Kissingerit i dhanë një “Nobel” për paqen në Vietnam, pikërisht në kohën kur atje hidheshin tonelata bomba çdo ditë.
Megjithatë të kthehemi te raportet tona. Për të shuar dallgët e medias, pro dhe kundër, politikanët në Tiranë e Prishtinë,(Thaçi dhe Rama kryesisht) rikonfirmuan se ne jemi në paqe, nuk kemi asnjë mosmarrëveshje, asnjë konflikt…. Lajm i madh ky? Kjo është ajo që as duhet të mendohet dhe diskutohet. Ne sot duhet të ishim në “konflikt” për faktin se sa kemi bërë për t’u afruar me njëri-tjetrin në rajon. Tërë ato energji që media po humbet për t’u marrë me këtë çështje, në fakt, duhej t’i shpenzonte për tjetër gjë.
Duke i mbështetur pas murit qeveritë dhe klasën politike të Tiranës dhe Prishtinës, e duke u kërkuar llogari se çfarë po bëjnë për t’i “bashkuar” dy shtetet shqiptare, duke zbehur së pari, çdo gjë që na ndan, duke filluar nga vetë kufiri. Duhet të jemi koshientë, se historia kurrë si sot nuk ka qenë në anën tonë dhe nuk po punon për ne. Por ne nuk po punojmë për veten. Disa dekada, në histori janë një sekondë dhe kjo sekondë e jona është tani. Tani kur në jemi dy shtete shqiptare dhe faktorë politikë në rritje në Maqedoni e Mal të Zi.
Çfarë po bëjmë ne për të unifikuar, jo një copë abetare, por krejt sistemin arsimor, të unifikojmë tregun energjetik, të unifikojmë planet ekonomike, të zbusim barrierat e tregjeve? Mos vallë na e ka fajin sërish Serbia që ka radhë kamionësh me mallra në Morinë? Mos na e ka fajin Serbia që Shqipëria i bllokon Kosovës qumështin e Kosova i bllokon Shqipërisë kastravecët? Shqiptarët nuk janë qendra e rëndesës e botës, as e Europës.
Po, për momentin është e rajonit. Por nuk do të jetë kështu përjetësisht. SHBA dhe NATO nuk do të ndajnë përherë një zë në buxhetin e tyre për të mbajtur trupa ushtarake për sigurinë tonë. Ky është momenti ynë dhe këtë moment ne nuk po e shfrytëzojmë. Përveçse kemi dy qeverisjet, aparatet shtetërore dhe klasën politike më të korruptuar në Europë, ne gjejmë kohë të bëjmë edhe teatër me veten e pas tij të zihemi mes nesh.
Serbia është shtet i konsoliduar dhe ka një forcë ushtarake po aq të konsoliduar. Në Kosovë edhe uniformat që kanë ata pak ushtarë, janë donacione ndërkombëtare. Ndërsa në Shqipëri gjysma e ushtarëve stërvitet me atlete, sepse s’kanë këpucë e gjysma që kanë këpucë nxirren të mbledhin letra e kanaçe rrugëve.
Me apo pa këpucë, ne sot flemë të qetë se jemi në NATO, por askush nuk e di se çfarë interesash gjeostrategjike mund të kenë fuqitë e mëdha pas 20 a 30 vjetësh.
Nuk është tepër të kujtojmë fabulën e gjinkallës me milingonën. Sot jemi në “behar” dhe ne duhet të mbledhim ushqim për “dimrin”, dhe jo të këndojmë. Fuqia e një vendi nuk matet me numër flamujsh, por me Ekonomi dhe Ushtri. Historia nuk të përkëdhel dy herë, ndaj nuk duhet ta çojmë dëm.