“Shtatë lloje njerëzish, nuk duhet të këshillohet me ta i mençuri…”

Po lexoj rreth vlerave të këshillimit, këmbimit të përvojave e largpamësisë dhe dobive të tyre në jetën e individit, nga enciklopedia e njohur e dijetarit Imam Shihabuddin ibn Muhammed El-Ebshihi, “El-Mustatraf”.

Ndër të tjera tregon se: “Të urtët kanë thënë: Mos u këshillo me një mësues, as me bariun e dhenve, as me atë që rri shumë me femra, as me personin që ka një nevojë për të kryer, as me frikacakun, as me të ngushtuarin në kryerjen e nevojave personale!

Poashtu thonë: Shtatë lloje njerëzish, nuk duhet të këshillohet me ta i mençuri: me injorantin, me armikun, me ziliqarin, me atë që i bën punët për syfaqësi, me frikacakun, me kopracin, me kapriçozin! Sepse, injoranti, devijon! Ndërsa armiku, dëshiron shkatërrim! Kurse ziliqari, ëndërron zhdukjen e të mirave! Ai që punon për sy e faqe, ndjek interesin dhe rrjedhën e njerëzve! Frikacaku mendon vetëm t’ia mbathë! Kopraci punon vetëm të mbledhë pasuri, nuk mendon për gjë tjetër! Ndërsa kapriçozi, është skllav i tekave të tij, të cilat s’i kundërshton dot!

Hasan Basriu thoshte: Njerëzit janë tre llojesh: një burrë, burrë! Një burrë, gjysëm burrë! Një burrë, jo burrë! I pari është ai që mendon dhe i merret këshilla. I dyti është ai që mendon, po s’i merret këshilla. I treti është ai që as mendon, as i merret këshilla!

Khalifi abasit, El-Mensur i tha të birit: Mësoji prej meje këto dy rregulla: Mos fol pa menduar dhe mos vepro pa planifikuar!

Kanë thënë: Nuk ka pasuri më të madhe sesa mendja, as varfëri më të madhe sesa injoranca, as kurriz më të fortë sesa këshillimi!”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 korrik 2016

Artikulli paraprakUshqimet jocilësore rrezikojnë shëndetin e qytetarëve
Artikulli vijuesImami i Qabes bën dua: O Allah, ndihmoje Turqinë! (video)