Ushqimet jocilësore rrezikojnë shëndetin e qytetarëve

Prodhimet ushqimore me cilësi të dyshimtë, sidomos ato të mishit të përpunuar në Kosovë, apo edhe të importuar, jo rrallë herë rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, thonë ekspertë të teknologjisë ushqimore dhe përfaqësues të konsumatorëve.

Ata thonë se kontrolli i pamjaftueshëm i mekanizmave shtetëror përgjegjës për kontrollin e ushqimit në vend, ka bërë që në treg të hasim edhe produkte të dyshimta.

Xhavit Ramadani, profesor i Teknologjisë ushqimore në Fakultetin e Bujqësisë thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë duhet të ketë më shpesh kontroll në kompanitë përkatëse, në mënyrë që qytetarët të konsumojnë ushqime më tësigurta.

“Mendoj se kontrolli nuk është i mjaftueshëm nga institucionet që merren më këtë punë dhe ndoshta do të duhej të ishte një kontroll më rigoroz”.

“Duke marrë parasysh që situata mund të jetë më e ndjeshme në sezonin e verës, kur kushtet e ruajtjes së këtyre ushqimeve janë jo të mira, dhe në këtë kuptim duhet të ketë një qasje dhe angazhim më serioz në mënyrë që të kemi kontroll më të sigurt”, ka thënë Ramadani.

Në anën tjetër, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, (AUV) thotë se produktet të cilët importohen, si dhe ato të cilët prodhohen në Kosovë iu nënshtrohen një kontrolli rigoroz. Por, nuk e përjashton mundësinë që produkte të dyshimta në treg të hyjnë në forma të kontrabanduara.

“Ne si institucion dhe agjenci jemi të pa kompromis ndaj atyre të cilëve tentojnë që në forma të ndryshme të fusin produkte që nuk i plotësojnë kushtet dhe standardet për përdorim. Kështu që në këtë drejtim të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit në gjithë vendin kontrollohen dhe monitorohen nga ana e AUV-IT”, thotë Gjinovci për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e produkteve të dyshimta në tregun e Kosovës, paraqitet për shkak keqpërdorimit të detyrës zyrtare të inspektorëve në terren. Në raste të caktuara, Kaçaniku dyshon se në këtë sektor ka keqpërdorime të detyrës zyrtare, e të cilat kalojnë në heshtje.

“Ka shumë shushurima të të gjitha niveleve. Edhe nivelet e larta shushurisin se në këtë segment ka shume mitmarrje. Flitet për një shumë 800 euro për maune dhe asnjë biznesmen nuk ka guxim të paraqes rastin, sepse frikësohet për ardhmërinë e biznesit të tij”.

“Çuditërisht asnjë asociacion ekonomik apo biznesor nuk është marrë më këtë problem. Mosmarrja më këtë problem, megjithatë flet diçka. Shumë shpesh edhe heshtja flet, pasi ose janë pjesëmarrës të mitë-marrjes ose janë shefat janë pjesë e mitë-marrjes ose nuk kanë guxim të kyçen në këtë”, thekson Kaçaniku.

Pretendimet e Selatin Kaçanikut, kundërshtohen nga Valdet Gjinovci. Ai thotë se inspektorët realizojnë punën më përkushtim dhe njëherësh bënë thirrje se për çdo rast të dyshimit të lajmërohen organet kompetente.

“Deri më tani nuk kemi raste që janë të evidentuara, që inspektorët kanë keqpërdoruar detyrën zyrtare. Kështu që të gjithë janë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, dhe gjithë herë punojnë në drejtim të asaj që të mos lejojnë produkte të cilat nuk janë të mira të përdorën”, thotë Gjinovci.

Ditë më parë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ne bashkëpunim me Doganat e Kosovës ka bërë asgjësimin e mbi 20 mijë kilogram të mishit të pulës me origjinë nga Britania e Madhe.

Artikulli paraprakAl Jazeera:pse dështoi grushti i shtetit në Turqi
Artikulli vijues“Shtatë lloje njerëzish, nuk duhet të këshillohet me ta i mençuri…”