E ardhmja e mbi 10 mijë refugjatëve të vendosur në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, në Idomeni, vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Shumica prej tyre vazhdojnë të presin me shpresë se një ditë do të hapet “rruga ballkanike” dhe do të vazhdojnë drejt vendeve të Evropës, ndërsa një pjesë prej tyre, për shkak të kushteve të vështira për jetesë në kamp duan të kthehen prapa në Turqi.
Refugjatët të cilët ndjehen të harruar nga Evropa thonë se Evropa nuk kujdeset për ata dhe e vetmja mënyrë u mbetet të kthehen në Turqi, sepse ky vend u mundëson kushte më të mira për jetesë, përfshirë vendbanimin dhe punën.
Njëri prej tyre është edhe siriani Ibrahim Eshtref, i cili gati tre muaj është i vendosur në Idomeni. Ai i pa shpresë për hapjen e kufjve, thotë se për shkak të kushteve të mjerueshme për jetesë, ka vendosur të kthehet në Turqi.
“Në Izmir kam punuar 1 vjet e gjysëm dhe kam fituar shumë para. Gjatë këtyre tre muajve në Idomeni kam harxhuar të gjitha parat e fituara nga Turqia, kështu që kam kërkuar nga të afërmit të më dërgojnë para dhe të kthehem prapa”, u shpreh Eshtref.
Ndërsa, sirianja Bidajet Maral, e cila në Turqi ka punuar tre vite ankohet se në Idomeni nuk merren masa për të përmirësuar gjendjen e refugjatëve. Ajo shtoi se nëse i jepet mundësia për tu kthyer në Turqi, nuk do të refuzonte.
“Në krahasim të Idomenit, në Turqi kishim një jetë më të mirë. Kishim vend për tu strehuar dhe fitonim para. Së paku fëmijët nuk qëndronin në rrugë dhe kishim mundësi për tu kujdesur për ata”, u shpreh ajo.
Në kamp vërehen rradhët e gjata të refugjatëve të cilët me orë presin për të marrë ushqim apo trajtim mjekësor, ndërkohë jashtë kampit mijëra refugjatë të vendosur nëpër tenda mundohen të mbijetojnë me të ardhura personale, duke u kujdesur vetë për ushqim, mjete higjienike apo nevoja tjera themelore.
Prania e forcave policore në Idomeni është rritur pas incidentit të mbrëmjes së mërkurë, kur rreth 300 refugjatë shtynë një vagon treni drejt bllokut të policisë me qëllim që të depërtojnë në anën tjetër. Hekurudha ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë tashmë gati dy muaj ditë qëndron e bllokuar nga ana e refugjatëve, të cilët, në shinat e hekurudhës kanë vendosur tendat e tyre në shenjë revolte.
Autoritet greke vazhdimisht bëjnë thirrje që refugjatët të lëshojnë kampin në Idomeni dhe të zhvendosen në kampet tjera të ndërtuara nga qeveria greke, mirëpo shumica e refugjatëve refuzojnë duke shpresuar se një ditë do të hapet “ rruga ballkanike”./AA/