Shumica e kandidatëve për drejtor të BKS-së i plotësojnë kriteret, favorizohet ai me më së paku kualifikim

Byroja Kosovare e Sigurimeve mund të udhëhiqet nga njerëz jo profesionist, për shkak të favorizimit të njërit nga kandidatët për drejtor.
Nëse shihen CV që i ka siguruar Indeksonline, shumica nga ta i plotësojnë thuajse kriterët, ndërsa njëri që është favorit për këtë pozitë, Atdhe Bytyqy, nuk ka kualifikim adekuat, ashtu edhe si specifikohet në konkursin që ishte shpallur, që dyshohet se kishte shkelje ligjore.
Më 6 qershor Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka shpallur konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri, pozitë të cilën deri pak ditë më parë e ushtronte Faton Abazi.
Indeksonline siç kishte raportuar edhe më parë për kandidatët që synojnë këtë post, kishte informuar se në mesin e kandidatëve për këtë pozitë është edhe shoferi i Fatmir Gashit, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, Atdhe Bytyçi.
Lidhur me këtë, Indeksonline ka siguruar CV-të e kandidatëve tjerë të cilët ndonëse janë më të kualifikuar se Bytyçi, megjithatë nuk janë as në garë të ngushtë për të marr udhëheqësinë e BKS-së.
Kandidati Hashim Rexhepi, në CV-në e tij, i cili del të jetë mjaft i kualifikuar dhe me përvojë, shkruan se nga viti 2007 po punon si dekan dhe profesor në Kolegjin “Pjetër Budi” në Prishtinë, kryetar i Bordit Drejtues dhe Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Albsig” sh.a Shkup-Maqedoni; Drejtor i Përgjithshëm në Korporatën “Arena Group” shkurt 2011-shtator 2012; Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës mars 2008-korrik 2010; zv/drejtor i përgjithshëm për mbikëqyrje financiare në Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës shkurt 2006-2008.
Ndërsa, sa i përket shkollimit, Rexhepi ka thënë se ka përfunduar studimet e magjistraturës në shkencën e sigurimeve në Universitetin “Shën Klementi” Maqedoni si dhe ka vazhduar edhe studimet e doktoraturës në po atë universitet. Ai po ashtu ka të botuara edhe disa punime shkencore dhe publikime.
Besnik Prokshi, kandidat tjetër për drejtor të BKS-së, i cili ka përfunduar studimet pas-diplomike në Menaxhment në “Universum Unviersity College” në vitin 2015, aktualisht punon si menaxher i departamentit të produkteve individuale dhe operacioneve në Raiffeisen Bank, dega në Mitrovicë, ka punuar si supervizor i operacioneve në po këtë bank, menaxher i financave në UMCOR-USA si dhe arkëtar, likuidor, referent i lartë në Bankën Themelore të Mitrovicës Jugobanka.
Ilir Bytyçi, magjistër i shkencave të ekonomisë në UP “Hasan Prishtina”, ka përfunduar AFAS-in si dhe ka përfunduar studimet postdiplomatike në Universitetin e Tiranës, drejtimi Menaxhment, ka punuar në kolegjin universitar “AAB”, “Pjetër Budi”, Universitetin Ndëkrombëtar të Prizrenit, aktualisht punon në Postën e Kosovës, si dhe ka të publikuara disa punime shkencore.
Kandidati Gjelosh Vataj ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës dhe është inxhinier i inxhinierisë mekanike dhe vazhdon të kryej studimet e doktoraturës po në këtë universitet. Ai ka punuar si projektues dhe mbikëqyrës i projekteve në kompaninë “Ndërtim-elektro” Tiranë-Shqipëri; drejtor i mirëmbajtjes elektro-makinerike në “Evergoinvest”; udhëheqës i mirëmbajtjes makinerike dhe objekteve në qytet në kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina” si dhe si kryeshef ekzekutiv i kësaj kompanie deri në mars të këtij viti.
Ai po ashtu, ka punuar si asistent i angazhuar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Sikurse kandidatët tjerë, edhe Vataj ka të publikuara disa punime shkencore.
Osman Ejupi, njëri nga kandidatët ka punuar si drejtor gjeneral në “Foresteconomy”; drejtor i shitjeve në Rilindje; menaxher gjeneral Fos Prishtina; drejtor në Rilindje; këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ai ka përfunduar studimet master në shkencat për auditim në UP “Hasan Prishtina” si dhe studimet e doktoraturës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ejupi di tri gjuhë dhe ka të publikuara disa punime shkencore.
Bajram Shala, është njëri nga kandidatët shumë me përvojë dhe i kualifikuar. Ai është magjistër i diplomuar i inxhinierisë elektro-energjetike, derisa është kandidat për doktorant. Ka punuar si profesor, punë në financa, punë në sigurime, hoteleri, marketing, tregti, kryesisht përvoja të punës menaxheriale të këtyre lëmive.
Blerim Camaj, është jurist i diplomuar. Ai ka përfunduar studimet në vitin 2001 në drejtimin Juridik. Camaj është njëri nga kandidatët për drejtor të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Dhe kandidati i fundit, Kujtim Grajçevci, një ekonomist i diplomuar, ka të përfunduar studimet në nivelin master në fakultetin ekonomik.

Ai po ashtu ka marr disa certifikata në shoqatën e kontabilisitëve të certifikuar dhe auditorëve të Kosovës, është teknik i kontabilitetit si dhe në institutin e auditorëve të brendshëm të Malit të Zi.
Ndërkohë që kundërkandidat i gjithë këtyre personave të kualifikuar, është Atdhe Bytyqi i cili me dokumentacion figuron si jurist ligjor, mirëpo ai në fakt është shofer i zv.guvernatorit Gashi. Bytyqi i cili ka konkurruar për këtë post është i papërvojë për pozitën e drejtorit të BKS-së, pasi që sipas burimeve të Indeksonline, për pozitën e lartpërmendur ka pasur kandidatë të cilët kanë qenë më të kualifikuar dhe më me përvojë.
Po ashtu, konkursi ka disa shkelje ligjore, pasi që është shpallur vetëm në një gjuhë, atë shqipe, derisa nuk është në gjuhën angleze dhe serbe.
Indeksonline do t’iu mbaj të informuar në vazhdimësi për zgjedhjen e drejtorit të ri të BKS-së.

Image

Image

Image

Image

Image

 

Artikulli paraprakNë Haiti hapet për adhurim xhamia e parë me minare
Artikulli vijuesZëvendësministri Emin Krasniqi për katër muaj e vodhi veturën e shtetit