Si te ndertosh nje biznes te sukseshem?

[ File # csp11130477, License # 2425079 ] Licensed through http://www.canstockphoto.com in accordance with the End User License Agreement (http://www.canstockphoto.com/legal.php) (c) Can Stock Photo Inc. / bloomua

Por cilat janë ato pesë gjërat që duhen realizuar për të ndërtuar një kompani apo institucion të suksesshëm?

1. Identifiko drejtuesit e suksesshëm

E para gjë e rëndësishme për të ndërtuar një kompani të suksesshme është të kesh në krye të saj një drejtues të suksesshëm. Për arsyen e thjeshtë: Të gjitha kompanitë apo institucionet e suksesshme kanë pasur ose kanë ende drejtues të suksesshëm.
Sa për ilustrim, po rendis disa të dhëna nga fusha e psikologjisë. Që nga lindja, çdokush nga ne mbart një personalitet unik, që na bën të jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri. Personaliteti ynë përcakton talentet apo aftësitë që kemi. E thënë ndryshe: Në personalitetin tonë janë të programuara, që nga lindja, talentet apo aftësitë tona.

Duke pasur personalitet unik, atëherë kemi edhe kombinim unik të talenteve natyrale që mbarten në të. Kur na ofrohet mundësia për t’i përdorur këto talente, atëherë jemi jo vetëm të motivuar – pasi po kryejmë ato për të cilat jemi në mënyrë të natyrshme të pajisur – por gjithashtu, jemi më të suksesshëm. Atëherë, si na ndihmon ky fakt i thjeshtë psikologjik për të identifikuar drejtuesit e suksesshëm? Duhet të dimë përgjigjet e dy pyetjeve: Ç’talent duhet të kenë drejtuesit për të qenë të suksesshëm? Dhe, si mund t’i vlerësojmë drejtuesit potencialë për t’u siguruar nëse ata kanë apo jo talent?
Përgjigjet e të dyja pyetjeve janë dhënë përmes shumë projektesh kërkimorë, të zbatuar në vende të ndryshme të botës.
Për t’iu përgjigjur pyetjes së parë, mjafton të rendisim talentet natyralë të një drejtuesi të suksesshëm, sipas rëndësisë së tyre:
1. Vendosmëria; 2. Inkurajimi/shtytja; 3. Shoqërueshmëria; 4. Entuziazmi; 5. Kontrolli i menaxhimit; 6. Analitik dhe zgjidhës problemesh; 7. Aftësia organizative; 8. Aftësia në komunikim; 9. Mendimi kritik dhe 10. Përballues i stresit.

Mbartja e këtyre atributeve ndeshet tek drejtuesit e suksesshëm, të cilët janë në gjendje të rrisin produktivitetin përmes “krijimit të një kulture të grupit, që do t’ia dalim mbanë nëpërmjet realizimit të dhjetë gjërave, që ekipet e suksesshme bëjnë më mirë”. Por cilat janë këto “dhjetë gjëra”, që e dallojnë një ekip të suksesshëm menaxhimi nga të tjerët?

Në një ekip të suksesshëm, çdo anëtar i ekipit:
1. Kupton dhe vlerëson aftësitë e secilit nga anëtarët e tjerë të ekipit dhe aftësitë e ekipit në përgjithësi;
2. Di se si dhe është i vendosur të sigurojë që çdo anëtar tjetër i ekipit është plotësisht i motivuar;
3. Përdor në mënyrë aktive aftësitë/avantazhet e secilit nga anëtarët e ekipit;
4. Punon në mënyrë proaktive për të kapërcyer çdo problem me të cilin përballet ekipi, e që do të thotë se ka “qëndrim pozitiv”;
5. Di saktësisht se çfarë duhet të bëjë, që do të thotë se ka “të përcaktuar qartë rolet dhe përgjegjësitë”;
6. Di saktësisht se cili është objektivi i secilit nga anëtarët e ekipit dhe i vetë ekipit në tërësi, që do të thotë se “ka të qartë se cilat janë qëllimet personale dhe cilat të grupit”;
7. Është plotësisht i përkushtuar ndaj qëllimeve të ekipit; 8. Është i përfshirë aktivisht në vlerësimin e performancës së ekipit në raport me qëllimet e tij;
9. Është rigoroz në komunikim;
10. Vërtet dëshiron të “mësojë” dhe të përmirësohet, qoftë si individ, qoftë si pjesë e një ekipi që “mëson”.

Megjithatë, një element tjetër po kaq i rëndësishëm mbetet “Motivimi i ekipit”. Ja mënyrat me të cilat drejtuesit e suksesshëm motivojnë vartësit e tyre:
1. Përcakto qëllimet dhe rolin e çdo individi të ekipit;
2. Jepu pajisjet dhe mbështetjen që u duhet për të bërë mirë punën e tyre;
3. Identifiko avantazhet/aftësitë e tyre dhe përdori ato sa më shumë të jetë e mundur;
4. Lavdëroji dhe bëji të njohur individët që bëjnë punë të mirë;
5. Kujdesu për ta nga ana njerëzore;
6. Zhvilloji që të bëjnë një punë të shkëlqyer;
7. Përfshiji në vendimmarrje;
8. Vazhdimisht promovo misionin e kompanisë, objektivat dhe vlerat;
9. Bëhu model i përpjekjeve për ekselencë;
10. Inkurajo zhvillimin e marrëdhënieve edhe me sens humori;
11. Pasqyro progresin individual në mënyrë formale dhe informale; dhe
12. Inkurajo individët dhe ekipin që “të mësojnë dhe të rriten”.

Përgjigjka e pyetjes së dytë është po ashtu shumë e thjeshtë: Përdorim instrumente psikometrikë të shpejtë, të saktë dhe pa kosto të lartë. Aktualisht, këto instrumente përdoren në shumicën e kompanive apo institucioneve ndërkombëtare.

2. Krijo një ekip të suksesshëm menaxherësh

Edhe pse për të krijuar një kompani apo institucion të suksesshëm mund të kemi gjetur një apo disa drejtues të suksesshëm, me talentet e duhur, kemi kryer vetëm hapin e parë. Pasi rezultatet e kërkimeve tregojnë që drejtuesi kryesor i një kompanie apo institucioni, pavarësisht se sa mirë mund t’i përputhet personaliteti me atributet që duhet të ketë një drejtues i suksesshëm, i vetëm nuk mund të arrijë maksimumi më shumë se deri te 20% i potencialit të kompanisë apo institucionit që drejton. Ndërsa nëse këta drejtues punojnë me një ekip menaxherësh të suksesshëm, atëherë mund të arrijnë deri në 80% të potencialit. Pyetjet e radhës që kërkojnë përgjigje janë: Cilët janë ato talente natyrale që i bëjnë të suksesshëm menaxherët? Si i vlerësojmë pjesëtarët e ekipit të menaxhimit për t’u siguruar që i kanë këto talente? Si mund t’i shkrijmë këta menaxherë në një ekip të suksesshëm?
Edhe përgjigjet e këtyre tri pyetjeve janë zbuluar përmes kërkimeve të shumta shkencore.
Për të marrë përgjigjen e pyetjes së parë, do të mbështetemi tek dhjetë atributet natyrale, të renditura si gjithnjë për nga rëndësia e tyre e që duhet t’i bartin anëtarët e një ekipi të suksesshëm menaxhimi:

1. Aftësia drejtuese;
2. Inkurajimi;
3. Aftësia e punës në grup;
4. Aftësia e kontrollit të menaxhimit;
5. Aftësia analitike për zgjidhjen e problemeve;
6. Motivimi i të gjithë ekipit;
7. Aftësia organizative dhe planifikimi;
8. Aftësia e komunikimit;
9. Të menduarit strategjik; dhe
10. Aftësia për të punuar nën presion.

Përgjigjja për pyetjen e dytë është gjithashtu e thjeshtë: Përdorim instrumente psikometrikë. Edhe përgjigjja e pyetjes së tretë është po aq e thjeshtë, por kërkon shumë punë, pasi duhet të zhvillojmë e zbatojmë një plan-veprimesh, duke “vjelë” secilin prej anëtarëve të ekipit. Ky plan-veprimesh duhet të bazohet në atë çfarë ekipin e dallon nga ekipet e tjera menaxhuese.
Sjelljet që e bëjnë një ekip të suksesshëm unik janë të shumta. Por kryesisht, në një ekip të suksesshëm, çdo anëtar i ekipit duhet t’i ketë të përvetësuara mirë “dhjetë gjërat” që kemi cituar pak më lart.

3. Ndërto strukturën e menaxhimit

Tashmë që kemi edhe drejtuesin e suksesshëm, edhe ekipin e suksesshëm të menaxhimit, çfarë na duhet tjetër? Na duhet të sigurohemi që kemi një strukturë menaxhimi të thjeshtë dhe të qartë e cila:

1. Tregon rolin e çdo menaxheri – kjo zakonisht kryhet përmes formulimit në formë të shkruar të përshkrimit të punës;

2. Tregon mënyrën e raportimit apo të varësisë – kjo zakonisht arrihet nëpërmjet organogramës, e cila duhet t’i bëhet e njohur çdo punonjësi në kompani apo institucion; dhe

3. Tregon cili dhe tek kush raporton/jep llogari çdo punonjës e me kë duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira pune ai, me qëllim që të jetë efektiv – edhe kjo arrihet nëpërmjet ndërtimit të organogramës dhe përshkrimit të punës së çdo punonjësi.

4. Aplikoni procedurat dhe sistemet menaxhuese

Ndërkohë që ka shumë sisteme dhe procedura që mund të asistojnë drejtuesit e bizneseve apo institucioneve për t’i menaxhuar ato në mënyrë të suksesshme, tre janë kryesorët:
1. Procedura për vendosjen e objektivave për t’u siguruar që puna e çdo punonjësi në kompani është e përqendruar në përmbushjen e tyre (gjë që sjell maksimizimin e fitimit dhe rritjen e produktivitetit);

2. Procedura efektive e rekrutimit për të gjetur personin e duhur për çdo pozicion pune;

3. Sistemi i thjeshtë i komunikimit që mundëson lëvizjen e shpejtë të porosisë apo vendimit të marrë nga drejtuesit/menaxherët e kompanisë tek çdo punonjës i saj.

Është thelbësisht e rëndësishme që menaxherët të jenë të trajnuar se si të përdorin me efikasitet këto sisteme e, njëkohësisht vetë sistemet duhet të auditohen periodikisht për t’u siguruar që vazhdojnë të jenë efektivë.

5. Motivo punonjësit për të maksimizuar kontributin e tyre

Pothuajse kemi plotësuar parakushtet që duhet të plotësohen me qëllim krijimin e një kompanie apo institucioni të suksesshëm. Ka mbetur edhe një hap i fundit për t’u kryer dhe që është shumë kritik. Ky hap ka të bëjë me motivimin e së gjithë fuqisë punëtore të organizatës, qoftë kompani apo institucion, për të maksimizuar kontributin e saj. Si e arrijmë këtë? Edhe përgjigjja e kësaj pyetjeje është më së miri e dokumentuar dhe përfshin “12 mënyrat me të cilat drejtuesit e suksesshëm motivojnë vartësit e tyre” (të renditura pak më lart).

Konkluzione

Tashmë dimë pesë gjërat e nevojshme për të krijuar një organizatë, kompani apo institucion të suksesshëm. Siç ndodh shpesh edhe në jetë, dija nuk mjafton për të garantuar suksesin e materializimit të saj. Thjesht kërkohet edhe shumë punë…

Artikulli paraprakGjashtë punët e së ardhmes që do të paguhen më së miri?
Artikulli vijuesKosova po voton