Şimşek: Sektori financiar pa kamatë është në rritje

Zëvendëskryeministri i Turqisë Mehmet Şimşek, në deklaratën e tij për gazetarin e AA-së, theksoi se aktivi i bankave me participim që në Turqi njihen si banka pa kamatë deri në fund të vitit 2015 ka arritur në 120 miliardë lira, raporton Anadolu Agency (AA).

Şimşek gjithashtu potencoi se pjesëmarrja e bankave me participim në sektorin e veprimeve bankare është 5.1 përqind. Ai shtoi se qëllimi i sektorit është që deri në vitin 2025 pjesëmarrjen në fjalë ta ngrit në 15 përqind.

“Turqia do të merr edhe më shumë hise në sektorin prej 2 trilionë dollarësh”

Şimşek më pas vuri në pah se sisitemi financiar pa kamatë është një fushë që ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar të financave dhe zhvillimit duke shtuar se kjo fushë do të vazhdojë të rritet edhe në periudhën në vijim.

“Sipas raporteve të fundit të publikuara, ky sektor ka kapacitet prej rreth dy trilionë dollarësh, ndërsa në pesë vitet e ardhshme shihet të ketë potencial për ngritje në 3.5 trilionë dollarë. Vazhdojnë punimet tona me shpejtësi për t’u bërë një nga shtetet që përfitojnë më së shumti nga ky potencial”, vlerësoi Şimşek.

“Sektori ka atraksion te lartë”

Zv/kryeministri Şimşek tha se sektori financiar pa kamatë ka tërhequr vëmendjen e shumë qendrave financiare të spikatura në botë, siç janë Londra, Dubai, Hong Kongu dhe Luksemburgu, dhe se investimet në këtë sektor janë në rritje të vazhdueshme.

“Ka atraksion të lartë. Krahas këtyre qendrave, si tregje të reja që po tregojnë zhvillim në këtë fushë kohëve të fundit janë edhe Australia, Koreja e Jugut, Filipinet dhe Azerbajxhani. Në kuadër të Projektit ‘Rruga e Mëndafshit’, Kina ka ndërmarrë iniciativa për përdorimin e produkteve financiare islame, me qëllim që t’i zhvillojë lidhjet me shtetet muslimane dhe të sigurojë llojllojshmëri resursesh në investimet e saj infrastrukturore”, tha ai.

Sipas tij, në realizimin e synimeve për zhvillim të vazhdueshëm pranë Kombeve të Bashkuara, financat islame shihen si një fushë e rëndësishme.

Artikulli paraprakPyetja për xhaminë është provokim për Rakiqin
Artikulli vijuesBie çmimi i naftës, Iraku refuzon vendimet e OPEC-ut